Mbrëmjen e djeshme në natën e tretë të edicionit të 61-të të Festivalit të Këngës në RTSH, këngëtarët konkurrentë kënduan me një artis shoqërues. Këngëtarja e njohur, Elsa Lila riktheu këngën e saj “Pyes Lotin” por këtë herë në bashkëpunim me reperin Capital T.
Pavarësisht se kënga u prit mirë nga publiku dhe mori duartrokitje të shumta, kompozitori i saj, Valentin Veizi ka reaguar i indinjuar duke e konsideruar ‘të shëmtuar’. Ai vazhdoi më tej duke thënë se dy këngëtarët i kishin bërë ‘pis’ këngën duke e rikthyer.
“Sot kam marrë shumë mesazhe e telefonata nga shokë e miq, dashamirës e simpatizantë të muzikes sime të indinjuar në lidhje të një varianti të këngës “Pyes Lotin” që është kënduar nga Elsa Lila edhe Capital T në natën e tretë Festivali 61 i RTSHse, duke qenë se skam patur mundesi të ndjek festivalin e kërkoj edhe e dëgjoj në YouTube kengën, me bën pershtypje (indinjuan) dy gjëra: e para nuk e di kush ka mare guximin e ka pasur kurajon te ma bëj “pis” këngën time, mirë që nuk kanë aftesine profesionale për të “rifreskuar” apo të sjellin ndryshe një këngë, por këta nuk kanë as edukaten edhe as respektin te paktën të kontaktojnë për të marrë lejen e autorit.
Së dyti: Ti (kushdo) mund të rikëndosh një këngë, por nuk ke asnjë të drejtë të ndryshosh e të denigrosh këngën pa lejen e autorit, (kompozitorit). Me lini tja u them troç edhe njëherë Liles edhe Capitalit, modeli i këngës qe ju sollët është modeli se si mund të denigrosh, shpërfytyrosh një kengë aq të bukur si kënga “Pyes Lotin” , prandaj do ti lutem Radio televizionit Shqiptar ta heqi nga çdo lloj transmetimi këtë variant të shemtuar!”- shkroi Veizi.