“Pas zero” komedi nga Muratcan Kibiroglu, me regji të Ali Volkan Çetinkaya, është shfaqur mbrëmë premierë në teatrin e Korçës, komedi e cila ka tërhequr shumë artdashës të qytetit. Ka qënë një shfaqje e trupës së teatrit “Andon Zako Çajupi” dhënë në festivalin ballkanik në Bursa, ajo që e ka ngacmuar regjisorin turk për të pasur një bashkëpunim me trupën e këtij teatri.
Pas shfaqjes regjisori i njohur turk tha se zgjodhi këtë komedi për mesazhet që jep, sepse është një vepër që nuk të bën vetëm të qeshësh por edhe të mendosh.
“Bashkëpunimi lindi në Festivalin Ballkanik që organizohet në Bursa, më pëlqeu shumë shfaqja “Doktor Shuster” që kishte sjellë trupa e teatrit të Korçës. Aty krijova kontakte me Zamira Kitën duke dashur që të sjell një komedi në teatrin e Korçës.
E zgjodha këtë komedi për mesazhet që jep, sepse mua nuk më pëlqejnë vetëm komeditë që të bëjnë të qeshësh, por edhe komeditë që të bëjnë të mendosh, sepse njeriu duhet edhe të qeshë edhe të mendojë e të kuptojë gjëra. Çdo shtet në botë ka problemet e tij, problemet janë të ndryshme, por njeriu është i njëjtë.
Këtë shfaqje ne e kemi vënë më përpara edhe në Turqi. Frika ime më e madhe ishte a do të kisha të njëjtat reagime, por isha i bindur për këtë, duke qënë se njerëzit janë të njëjtë dhe kanë pak a shumë të njëjtat mendime dhe ndjenja, pak a shumë telashet dhe shqetësimet tona janë të njëjta. Mendoj që shkoi shumë mirë dhe atë që donim ia përcollëm publikut.”- ka thënë regjisori turk Çetinkaya.
Amos Muji Zaharia, ishte aktori kryesor i kësaj komedie, i cili me lojën e tij ka mbajtur “peshë” gjithë spektatorët në sallë. Edhe për aktorin Zaharia kjo komedi ishte krejt ndryshe nga ato që kemi parë në skenat tona.
Në këtë shfaqje kanë interpretuar edhe aktorët Andrea Pepi, Zamira Kita, Desara Xhangolli, Juxhin Plovishti, Kejdi Gishto, Kristi Baçe dhe Blerta Belliu. Komedia “Pas zeros” është pjesë e kalendarit të aktiviteteve të fundvitit, ajo do të vihet në skenë edhe mbëmjen e sotme.


