– Zoti Kryeministër, gjatë ditëve të samitit do të vijë dhe homologu juaj grek Kyriakos Mitsotakis. Do të keni një takim dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Do të jetë çështja e detit, do të hidhen hapa të rinj. Deri më tani jeni në parim që çështja e detit të jenë nën një drejtësi ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama: Ai është një proces tërësisht tekniko-juridik dhe s’ka lidhje fare me politikën.
– Zoti Kryeministër, për t’u kthyer te 6 dhjetori. Ju thatë që janë masa të sigurisë të vendosura nga Brukseli, por nga ana tjetër…
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo janë masa sigurie të bazuara në kritere dhe në standarde që do i garantojë çdo vend që merr përsipër të mikpresë një Samit të këtyre përmasave dhe natyrisht këto janë të bazuara në kërkesat që kanë ata, të cilët vijnë këtu dhe organizojnë këtu Samitin, se këtë Samit e organizon Këshilli Europian, nuk e organizon Shqipëria. Shqipëria është mbështetëse dhe është mikpritëse e këtij Samiti.
– Por, nga ana tjetër opozita është e vendosur që protestën ta zhvillojë përpara godinës së qeverisë. Në rast se asnjëra nga palët nuk do tërhiqet, si do shkojë 6 dhjetori?
Kryeministri Edi Rama: Këtu nuk ka palë që tërhiqen ose nuk tërhiqen. Këtu ka një aktivitet që është aktiviteti më i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë apo të Shqipërisë para se të bëhej republikë. Nuk ka ndodhur kurrë që në Shqipëri të zbresë i gjithë kontinenti në shprehje të qartë respekti për Shqipërinë dhe në mbështetje të asaj linje tanimë të kristalizuar që e sheh Shqipërinë si një faktor kyç në rajon dhe për shkak të rajonit në funksion të Europës.
Këto pastaj, historitë e 1912 që vazhdojnë dhe tirren, këto janë çështje që për fat të keq, ne nuk i shmangim dot, por nga ana tjetër nuk mund ta marrin dot peng as Shqipërinë dhe aq më pak një samit të këtyre përmasave. Kështu që kjo nuk është çështje palësh që tërhiqen ose nuk tërhiqen, ky nuk është një vendim i qeverisë shqiptare. Këtu hyn në fushë siguria e samitit dhe garantimi i gjithë masave të kërkuara të sigurisë për të gjithë liderët dhe delegacioneve të mbarë Europës. Çfarë lidhje ka kjo këtu me Mujin dhe me Halilin? Unë nuk shoh lidhje.
– Zoti kryeministër, drejtuesit e “Prestige Resort” kanë publikuar një dokument në të cilin thotë se zonja Dallëndyshe Bici ka konfirmuar lejen e ndërtimeve në 2017. A ka shkelur zonja Bici ligjin në 2017 apo po e shkel tani? E dinit ju zoti kryeministër kur u strehuan afganët që kishte ndërtime pa leje në atë resort?
Kryeministri Edi Rama: E kam thënë dhe në raste të tjera se është shumë e çuditshme kjo qasje, por megjithatë unë me shumë korrektesë i jam përgjigjur dhe vazhdoj të përgjigjem.
Unë nuk jam polic, nuk jam as inspektor. Unë di që detyrat në këtë vend janë të ndara dhe nga ana tjetër di që nuk ka asnjë shans, nuk ekziston një shans që institucionet e këtij vendi, cilado qofshin, të godasin si pa leje ndërtime që janë me leje, nuk ekziston. Kur e kam nisur këtë proces, shumëkush ka nënqeshur, shumë kush ka përqeshur, të tjerët kanë thënë, ç’nuk kanë thënë, “jo po bëhet për këtë arsye, jo po bëhet për atë arsye”, ndërkohë që unë e kam bërë shumë të qartë që ky është një proces shumë serioz për t’i vënë kapak një historie 30 vjeçare abuzimi, harbimi dhe tërbimi në raport me ligjin dhe në mungesë të plotë respekti ndaj pronës private apo publike, ndaj të drejtave private apo publike në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kemi bërë shumë në këtë drejtim por ka ardhur momenti për t’i vënë kapak përfundimtar kësaj historie. Janë 15 vendime konfiskimi, 15. Nuk janë as një, as dy dhe janë vendime konfiskimi për një numër të konsiderueshëm besoj unë, të atyre që quhen rëndom oligarkë dhe që rëndom lidhen me qeverinë po të ishin të lidhur me qeverinë nuk do ishin sot në kushtet e të konfiskuarve. Pse janë konfiskuar? Sepse kanë shkelur ligjin! Kanë ndërtuar përtej kufijve të ligjit për qëllime përfitimi. Ndër to ka ndërtime që janë totalisht pa leje, ka dhe ndërtime që janë pjesërisht me leje, por kanë abuzuar duke shtuar dhe ligji është shumë i qartë. Kush abuzon me lejen deri në një masë të caktuar, në mos gabohem 10%, i merret ajo pjesë. Kush shkon përtej asaj mase i merret e gjitha. Pastaj kjo e gjitha, sipas të dhënave që dalin nga raportet e institucioneve të specializuara ose shembet ose përdoret për interesa publike. Është shumë e qartë dhe është një proces që vazhdon, do të shikoni të tjera nëqoftëse do dalin të tjera. Nuk është një proces që është ndalur. U tha atëherë që, “jo po bëhet vetëm në Tiranë, jo po bëhet se është luftë midis këtij e atij”, broçkulla! Është një proces që i vë kapak përfundimisht dhe që s’ka për të guxuar më askush që të bëjë të fortin në raport me ligjin, që të përdorë çfarëdolloj statusi për të marrë më shumë sesa i takon në bazë të ligjit dhe mbi të gjitha, të gjitha këto do të vihen në shërbim të publikut. Kështu që këtu nuk shoh ku është pyetja për mua dhe ku është pjesa për të dalluar njërin nga tjetri. Natyrisht secili është në të drejtën e vet të bëjë viktimën. Njëri thotë, “po më sulmojnë se jam shumë i zoti”. Tjetri thotë, “po më sulmojnë se jam shumë i fortë”, tjetri thotë, “po më sulmojnë se jam shumë i dobët”, tjetri thotë, “po me sulmojnë se jam…”, ku di unë se çfarë. Secili bën viktimën, por këtu është ligji dhe vetëm ligji, nuk ka asnjë tjetër. Vendosmëria për t’i shkuar deri në fund një beteje që unë e kam nisur kur juve ishit akoma ende shumë të vegjël dhe nuk jeni të detyruar që t’i mbani mend të gjitha
– Zoti kryeministër, deputeti juaj Erion Braçe ka akuzuar ditën e djeshme grupin parlamentar socialist se ka rrezuar amendamentin që ai ka propozuar ku mbron bujkun ndaj tregtarit. Ndërkohe ka paralajmëruar disa herë le të themi, është koha për punë të re. Ju keni kontaktuar me të, keni marrë një kërkesë nga zoti Braçe për të lënë mandatin?
Kryeministri Edi Rama: Erion Braçe është institucion në Partinë Socialiste dhe është në të drejtën e vet të thotë çfarë t’i dojë e bardha zemër sepse zemrën e ka të bardhë dëborë. Për të tjerat pastaj, ua kam thënë dhe kolegeve tuaj. Kur merrni përsipër të komentoni Erion Braçen, sigurohuni që minimalisht që përpara të keni ngrënë një lugë mjaltë. Faleminderit!
- Kuvendi rrëzon me 82 vota kërkesën e SPAK për Ballukun! PD bllokon foltoren, por seanca mbyllet - 12/03/2026
- Mbahet edicioni i FemFest 2026 - 09/03/2026
- Banditë me kryq - 06/03/2026