13.5 C
Tirana
14 / 03 / 2026

Festat e Nëntorit, fluks normal lëvizjesh/ Në Kapshticë dhe Qafë Thanë punohet me katër sportele

Fluks normal lëvizjesh është shënuar gjatë tre ditëve të fundit, në pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se gjatë këtyre tre ditëve në Kapshticë kanë hyrë e kanë dalë rreth 15 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, ndërsa në Qafë Thanë kanë qënë 13 mijë e 200 shtetas që kanë hyrë e kanë dalë përmes kësaj pike kufitare.

Vitet e kaluara në kuadër të festave të nëntorit fluksi i lëvizjeve në Kapshticë ka qënë i lartë, pasi një pjesë e emigrantëve janë kthyer për të kaluar festat kombëtare pranë familjarëve të tyre në vendlindje.

Po ashtu edhe në Qafë Thanë ka pasur një numër të lartë të hyrjeve të shtetasve nga Maqedonia e Veriut në drejtim të vendit tonë, duke zgjedhur Vlorën dhe qytete të tjera për të kaluar festat e nëntorit. Ndërsa këtë vit nuk është shënuar fluks lëvizjesh.

Të dy stacionet policore të këtyre dy pikave kufitare, bëjnë me dije burimet zyrtare, kishin marrë masa për të përballuar fluksin për shkak të festave dhe ditëve të pushimit, por gjithnjë sipas tyre, lëvizjet kanë qënë krejt normale. Ndaj dhe për këtë nuk është parë e nevojshme shtimi i sporteleve si në Kapshticë ashtu dhe në Qafë Thanë.

Edhe ditën e sotme në këto dy pika të kalimit kufitar, nuk është parë fluks në rritje në dalje nga Shqipëria drejt Greqisë apo Maqedonisë së Veriut. Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës aktualisht po punohet me katër sportele, po kaq edhe në Qafë Thanë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x