15.5 C
Tirana
12 / 02 / 2026

Trofeu i pestë për shkrimtarin Zija Çela, “NDERI I AKADEMISË”

Ky mund të quhet edhe “viti i Zija Çelës”. Pas disa çmimeve të fituara këtë vit, i fundit ishte dhe si shkrimtari fitues në Panairin e Librit që përfundoi një javë më parë.

Por nuk paska qenë i fundit, pasi Akademia e Shkencave të Republikës e ka shpërblyer me çmimin “Nderi i Akademisë”.

Lidhur me këtë trofe të fundit, vetë shkrimtari shumë i njohur, ka gjetur një mënyrë shumë elegante për të shprehur mirënjohjen e tij përmes një statusi në llogarinë e tij personale ne facebook. Ja çfarë shkruan shkruan ai:

“-Me falenderime ndaj Akademisë së Shkencave për nderimin.

Motivacioni: “Zija Çela, shkrimtar, prozator i shquar, me veprimtari krijuese sfidante prej një gjysmë shekulli, autor romanesh, novelash e tregimesh, që kanë provuar bindshëm marrëdhëniet ndërvepruese me karakter pasurues midis shqipes së njësuar dhe trashëgimisë dialektore, duke dëshmuar rolin e pazëvendësueshëm të shkrimtarit për zhvillimin dhe shfaqjen e shprehimësisë së shqipes letrare si zhvillim kulturor e identitar.”

Miq e lexues të dashtun, po e ndaj me ju këtë lajm, sepse prej kohësh keni dëshmuar atë virtytin fisnik: Gëzimin për Tjetrin.

Ju kam lodhur sivjet me urime për katër çmimet letrare, Gjakovë, Lezhë, Podgoricë, Tiranë. Dhe ja tani mirësia e pestë përsëri në Tiranë. Por ka edhe një çmim të gjashtë. Ju do të thoni cili na qenka i gjashti? Është ai që e jap unë, ai që ripërtrihet e prapë e jap, sepse buron pa shterim në vetëdijen time. E pra ky është Çmimi i Mirënjohjes. Ju jam mirënjohës që prej shumë e shumë vitesh qëndroni me mua, ashtu si unë me ju. U bëftë me vullnet edhe në të ardhmen!

Unë ju lutem ju, nuk ka nevojë për komente. Për atë Zot, mjafton një klik, sepse kur niset nga zemra, si shkëndijë e saj vjen tek unë”.

Redaksia e “Pena.al” i uron shkrimtarit suksese e jetë të gjatë në veprimtarinë e tij krijuese.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x