Milicitë pro-turke janë në gatishmëri për aksion ushtarak pasi Ankaraja zyrtare sinjalizoi se mund të nisë shumë shpejt një ofensivë tokësore kundër kurdëve në Siri.
Në një fjalim përpara mbështetësve, presidenti turk deklaroi se pas sulmeve ajrore të fundjavës së kaluar është i prirur të urdhërojë trupat e tij të kalojnë kufirin.
“I kemi sulmuar terroristët për disa ditë më avionët, topat dhe dronët tanë. Me vullnetin e Zotit, ne do t’i çrrënjosim ata me tanket, artileritë dhe ushtarët tanë. Ta dini mirë këtë”, tha Recep Tayyip Erdogan, president i Turqisë.
Sulmet ajrore të së dielës erdhën një javë pas atentatit me bombë në Stamboll, për të cilin Ankaraja fajëson militantët kurdë. Rusia, që ka trupa në Siri në mbështetje të regjimit të presidentit Assad, ka bërë thirrje për përmbajtje.