Është përuruar sot godina e re e spitalit infektiv, rikonstruksioni i të cilit u krye brenda një harku kohor 5 muaj.
Në ceremoninë e organizuar në QSUT, mori pjesë dhe kryeministri Edi Rama i cili vlerësoi punën e ekipit të mjekëve gjatë pandemisë duke folur në të shkuarën cka la të nënkuptojë se për Ramën pandemia ka mbaruar.
“Ky shërbim mund të kishte një fund të trishtë nëse do t’i shkohej deri në fund planeve për mbylljen e tij. Ato plane hartoheshin nga ata që bërtisnin më fort gjatë pandemisë. Ishin ata që bërtisnin më shumë gjatë pandemisë.”
Pavarësisht se jemi tanimë përtej pandemisë, ajo çka kjo trupë bëri gjatë pandemisë, nuk duhet harruar kurrë”, tha Rama.
Pas emergjencës shëndetësore nga koronavirusi dhe përballjes me largimet e vazhdueshme të mjekëve jashtë vendit, kryeministri Rama shprehu ambicien për dyfishimin e pagave të tyre brenda këtij mandati.
Godina 52-vjeçare e Infektivit, ndër më të vjetrat në QSUT, përballoi ngarkesën më të madhe shëndetësore gjatë pandemisë së koronavirusit.
Rikonstruksioni i spitalit filloi këtë verë, pas qetësimit të situatës nga pandemia dhe uljes së shtrimeve në pavijone.