Mbledhja e Komisionit të Ligjet është shoqëruar me debate për shkak të diskutimit të projektit për Portin e Durrësit. Deputeti demokrat Gazmend Bardhi e quajti Portin e Durrësit një aferë, ndërsa tha se kryeministri Edi Rama asnjëherë nuk firmos kur ka afera, por ia lë ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku.
“Shteti shqiptar del i humbur nga ky biznes, fiton një kompani private. Në investimin më të madh, kryeministri nuk firmos, e ka praktikë pune që lë Belindën të firmosë”, tha Bardhi.
Ndërsa deputeti socialist Erion Braçe kërkoi transparencë për projektin strategjik. Ai ka kërkuar garanci për projektin, nëse ka apo jo kompani offshore.
Ai kërkoi nga komisioni dokumentin që garanton se investitori, përfshirë edhe shtetin shqiptar nuk do ta përdori këtë pronë për të të garantuar financime si edhe a ka kompani offshore të përfshira.
“Unë dua të di sa është prona shtetit e vënë në dispozicion të këtij projekti në hektar. Çfarë ndodh me këtë pronë. Pati kakofoni në atë që thatë ju. Dua të di, me këtë sipërfaqe toke çfarë ndodh. Dua që të pranë këtij komisioni të depozitohet dokumenti. Çfarë ndodh me vijën bregdetare dhe hapësirën që vihet në dispozicion të këtij projekti. Ju thatë që është e ndaluar me akte që kjo pronë të vendoset kolateral për financimin e zhvillimit të këtij projekti, në cilin dokument është kjo. Kam lexuar këto që na keni sjell, por dua dokumentin që garanton se investitori, përfshirë edhe shteti shqiptar nuk do ta përdori këtë pronë për të të garantuar financime. Ju thoni që nga 80 hektarë, 20% do i kthehet hapësirë publike qytetit, çfarë është kjo % sot, pronë publike apo private. Sa janë taksat që do paguajë investitori, ju thatë që do ndërtohet hoteleri. Do ndërtohet gj tjetër veç hoteleve aty? Sa taksa do paguhen dhe sa taksa do përjashtohen? Tani pyetja për investitorin u bë. Unë dua garanci që ky projekt do mbarojë dhe më cilin institucion do të kem marrëdhënie. Ka kompani offshore të përfshira? Cilat dhe ku janë? Pyetja tjetër që kam, ka ndonjë detyrim që kompania të zbatojë ligjet vendase për financimin dhe pastrimit të parave. Në cilin dokument janë dhe nga cili moment duhet t’i nënshtrohen? Për të zhvilluar këtë sipërfaqe në Portin e Durrësit, ka pasur kërkesa të tjera? Nëse po, nga cilët, nëse jo vazhdojmë. Kush do jetë institucioni që do kontrollojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe këtij investimi”- tha Braçe në fjalën e tij në Komisionin e Ekonomisë.