2.5 C
Tirana
20 / 03 / 2026

Tensionet në veri, Brukseli thërret me urgjencë krerët e Kosovës dhe Serbisë

Brukseli është i shqetësuar për situatën e krijuar në veri të Kosovës ndaj në një konferencë për mediat sot bëri thirrje për qetësim të situatës.

“Mund të them që jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit dhe të dyja palët duhet që urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve”, tha në një konferenë për media, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Ai tha se 21 nëntori nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat, ose siç tha, “do të kemi situatë të rrezikshme”.

Borrell tha se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të jetë në Bruksel sonte për të biseduar për çështjen e targave dhe çështje tjera. Ai tha se po ashtu pritet të ketë bisedime edhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Grafit në Mitrovicë të Veriut që bën thirrje për “rezistencë” ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë se do të nisë gjobitjen e shoferëve që kanë targa të lëshuara nga Serbia nga data 21 nëntor.

Borrell tha më herët gjatë ditës se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale.

“Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, [të cilin] duhet ta shqyrtojnë [palët]”, tha Borrell para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, që u mbajt në Bruksel.

As pas takimit, ai nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi, por falenderoi Francën dhe Gjermaninë për ndihmën.

Borrell tha se Kosova e Serbia janë në udhëkryq, dhe se “duhet të vendosin nëse duan të shkojnë në të kaluarën, apo drejt BE-së”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x