15.2 C
Tirana
17 / 11 / 2026

Reforma/ Pakti PS-PD në minutën e fundit, kushtet e zgjedhjeve do të hartohen me ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias

Presioni ndërkombëtar jo vetëm arriti të ulte palët në tryezën e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, por edhe të arrinin dakordësinë e parë në ditët e fundit që u lejon afati i punës.

Bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi do t’u drejtohen ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias për të sjellë ekspertët e tyre, të cilët do të hartojnë draftet së bashku me ekspertët e komisionit mbi paketën e propozimeve të PD-së.

Me pretendimin se zgjedhjet në Shqipëri nuk fitohen, por vidhen, demokratët propozojnë masa të shtrënguara, me penalizime administrative deri në heqjen e mandatit për partinë që gjendet në shkelje.

Opozita mendon se për këto masa duhen ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe atë Penal, ndërsa mazhoranca mendon se, me vullnetin politik të Edi Ramës, mund të arrihen edhe me VKM.

Por duket se as këto masa nuk arrijnë të sjellin rotacionin politik, prandaj opozita ka si kërkesë fillestare rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.

Oreksi politik vjen duke u shtuar, teksa demokratët hedhin në tryezë edhe ndryshimin e sistemit. Por edhe në këtë rast, secila palë ka një kusht. Edhe PS-ja vjen me një kundërofertë.

Para se të arrihej konsensusi, tonet u ngritën mes socialistëve dhe demokratëve.

Në fund, në tryezën e dakordësisë, socialistët arritën të merrnin edhe miratimin për përfshirjen e ekspertëve të Komisionit të Venecias, të cilët do të vijnë për të dhënë opinionin e tyre edhe për ligjin e financimit të partive politike.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x