Policia dhe prokuroria në Paraguai kanë ushtruar një kontroll në vilën luksoze të ish-presidentit Santiago Peña, ku kanë zbuluar një kasafortë të fshehur pas një muri të rremë, me një sistem të avancuar sigurie.
Operacioni u zhvillua të dielën në rezidencën verore të Peña-s, në qytetin San Bernardino, në kuadër të hetimeve për skandalin financiar të lidhur me bankën Ueno.
Sipas mediave lokale, gjatë kontrollit, autoritetet zbuluan një kalim të fshehtë që të çonte drejt një dere të blinduar, pas së cilës ndodhej një kasafortë. Sistemi i sigurisë ishte i pajisur me teknologji të avancuar, përfshirë fjalëkalim dixhital dhe njohje biometrike, ndërsa dyshohet se përfshinte edhe skanim të irisit të syrit dhe njohje të fytyrës.
Pavarësisht zbulimit, autoritetet nuk arritën ta hapnin kasafortën për shkak të sistemit të sofistikuar të sigurisë. Deri më tani nuk dihet se çfarë ndodhet brenda saj. Vila e ish-presidentit është në qendër të hetimeve për marrëdhëniet e tij financiare me bankën Ueno. Sipas dosjes hetimore, më 13 maj 2024, kur Peña ishte në detyrë, banka i dha dy kredi njëkohësisht, në një vlerë totale prej rreth 600 mijë dollarësh, për ndërtimin e rezidencës.
Kostoja e ndërtimit të vilës vlerësohet në rreth 1.3 milionë dollarë, ndërsa këstet mujore të kredive arrinin në 37 200 dollarë, rreth gjashtë herë më shumë se paga e tij presidenciale. Hetimet lidhen me krizën e bankës Ueno, e cila u vu nën administrimin e Bankës Qendrore të Paraguait pasi u konstatuan probleme të rënda financiare dhe rënie e treguesve të saj të aftësisë paguese.
Sipas raportimeve të mediave vendase, Peña është akuzuar për shkelje të besimit dhe administrim në përfitim personal. Pas zhvillimeve politike dhe shkarkimit të tij nga Kongresi, ish-presidenti është arrestuar dhe është vendosur në paraburgim në një strukturë ushtarake në Asunción. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur marrëdhëniet financiare të ish-presidentit me bankën, ndërsa mbetet mister se çfarë fshihet pas derës së blinduar të zbuluar në vilën e tij.
- Bastiset vila luksoze e ish-presidentit të Paraguait, policia shtanget nga zbulimet nëpër muret e ndërtesës - 09/11/2026
- Reforma Zgjedhore/ PD kërkon ndryshimin e rendit të ditës, i jep afat PS-së të reflektojë deri në orën 11:00 - 09/11/2026
- Pse amerikanët po rebelohen kundër Musk dhe gjigantëve të teknologjisë? - 09/11/2026