11.5 C
Tirana
06 / 11 / 2026

Nga protesta drejt listës studentore/ Të rinjtë synojnë krijimin e një partie, nisin përgatitjet për alternativa politike dhe lista online

Grupime studentësh të dala nga protesta po organizohen në forma të ndryshme për të ofruar një alternativë politike tashmë. Rinia nacionaliste është një prej tyre.

“Dëshira për ndryshimin e sistemit të kanalizohet tashmë nga dalja në shesh në një lëvizje politike. Ne aktualisht nuk jemi në stadin e partisë, por duam të arrijmë në atë stad. Pra, duam ti shfaqim popullit tonë realitetin dhe ti tregojmë se ne jemi opozita e vërtetë”, tha Besart Capa- anëtar, Rinia Nacionaliste.

Rinia nacionaliste që synon të kthehet në një parti politike nuk ka emëruar ende një kryetar, por ka deri më tani 300 anëtare dhe grupi i brendshëm përbëhet nga 15 studentë që janë njohur në protestë.

Laura Kërtalla, përfaqësuesja e kësaj force të re ka zhvilluar së fundmi një takim me zyrtarët e BE në Shqipëri. Besart Capa, pjesë e Rinisë nacionaliste na tregon bisedën me ta.

“Takimi me ta është për t’ua bërë me dije se në Shqipëri ka lindur një frymë e re që në të ardhmen kërkon të bëhet faktor politik. Ata thanë që duhet t’i përshpejtojmë hapat që të arrijmë të bëhemi parti politike, në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë për të bashkëpunuar me një parti të mirëfilltë”, deklaroi ai.

Lista studentore është një tjetër përpjekje e protestës për të nxjerr në pah figura jopartiake që i duhen vendit. LS është krijuar në internet nga një profesionist i teknologjisë që nuk do të identifikohet, i cili ka sjell një platformë digjitale ku propozohen emra me peshë publike që votohen nga shqiptarët përmes një llogarie të verifikuar në Google që ka regjistruar tashmë mbi 17 000 vota. I pyetur përmes email-it se për çfarë do të shërbejë lista me figurat e votuara thuhet se:

“Lista Studentore lindi nga dëshira për të krijuar një hapësirë ku qytetarët të propozojnë persona që vlerësojnë, të shprehin mbështetjen për ta dhe të diskutojnë ide për të ardhmen. Shpesh dëgjojmë që “s’ka njerëz të mirë” ose që “zgjedhja është mes të njëjtëve”. Qëllimi është që diskutimi të shkojë përtej pakënaqësisë dhe të përfshijë propozime konkrete. Lista nuk është listë listë zyrtare kandidatësh për zgjedhje”.

Lista studentore po vjen në formën e një sondazhi, por ndonëse nuk mohohet ideja e përgatitjes për fushatën elektorale, sqarohet se rregullat e kandidimit kërkojnë një proces tjetër.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x