13.8 C
Tirana
03 / 11 / 2026

Drejtësia ka prodhuar politikë më shumë sesa Erion Veliaj dhe Edi Rama

Nga Mero Baze

Ka dy debate false në çështjen Rama-Veliaj dhe një debat real.

Debati nëse Veliaj është përfshirë fizikisht në organizimin e protestave është pa kuptim, sidomos tani. Dhjetë ditë më parë, Erion Veliaj mbajti një qëndrim politik ndaj protestave, duke iu referuar fitores së listës së studentëve në Beograd dhe duke i përshëndetur ato. Në deklaratën e tij politike, ai shprehte haptazi simpatinë për atë që po ndodhte në Tiranë, duke e përkufizuar si “fundi i një bote” dhe jo fundi i botës.

Qëndrimi politik ndaj protestave është shumë herë më i rëndësishëm se përfshirja në logjistikën e tyre. Unë besoj se kjo e fundit nuk ka ndodhur, pasi ai nuk ka asnjë mundësi ta bëjë atë, por edhe sikur ta ketë bërë, qëndrimi politik e tejkalon atë. Pra, kemi një kryebashkiak që është pro protestave dhe kundër qeverisë. Këtu ky debat duhet të marrë fund dhe nuk duhet të mbivendoset në seancat gjyqësore të Erion Veliajt. Ai nuk është aty as për protestat dhe as për sjelljen në burg, por për akuza të tjera, që janë më të vështira për t’u provuar sesa qëndrimi i tij ndaj protestave.

Qëndrimi ndaj protestave është publik dhe, po ta shoqërosh edhe me injorimin e dëmeve ndaj Tiranës, nuk ka më nevojë për komente.

Mirë apo keq, ajo është zgjedhja e tij politike, e cila zhbën çdo gjë tjetër konspirative rreth lidhjeve të tij me protestën. Arma më e fortë e një politikani janë qëndrimet publike dhe jo muhabetet e tavolinave, dhe ai e ka shumë të qartë qëndrimin publik për këtë çështje.

Debati i dytë, nëse Edi Rama e ka futur në burg Erion Veliajn, është po ashtu fals. Kjo është një narrativë që i shkon për shtat Berishës dhe opozitës në tërësi, të cilët duan ta paraqesin SPAK-un si vegël të Edi Ramës për shkak të disa rasteve të tyre. Por qeveria i ka thuajse të gjithë ministrat më të rëndësishëm në SPAK dhe të rrezikuar për vepra penale. Kështu i bie që Edi Rama ka burgosur të gjithë bashkëpunëtorët e tij.

Ata që vetë protestuan me molotov poshtë dritares së Veliajt për një vit të tërë, që çuan denoncimet në SPAK dhe që shpikën edhe Nesti Angonin, tani duhet të na e kursejnë këtë pistën e arrestimit të Veliajt prej Ramës.

Përkundrazi, unë mendoj se dëmi i vetëm që Edi Rama i ka bërë Veliajt në procesin e arrestimit të tij është qëndrimi agresiv i Ramës ndaj SPAK-ut për këtë çështje, duke ndezur gjakrat dhe duke e kthyer arrestimin e tij në një kacafytje të pushtetit me SPAK-un.

Diferenca që bëhet mes Veliajt dhe Ballukut ka të bëjë me faktin se Balluku kishte mundësi të mbrohej nga shumica në pushtet përmes imunitetit, ndërsa Veliaj nuk e kishte. Nëse shumica do të ishte vënë në provë për paraburgimin e Veliajt, me siguri do ta mbronte. Ose, së paku, shumica e shumicës do ta mbronte.

Debati i tretë, që ka të bëjë me nevojën që Tirana të ketë një bashki funksionale dhe që Veliaj të jepte dorëheqjen, është konflikt politik real mes tij dhe Edi Ramës.

Konflikti edhe këtu bazohet te fakti që Veliaj ka qenë gati të jepte dorëheqjen nga Bashkia, por të dilte nga paraburgimi. Pra, ditën që do të dilte nga paraburgimi, ai kishte planifikuar të jepte dorëheqjen dhe të vazhdonte betejën ligjore. Fakti që Gjykata e Lartë, në mënyrë krejt të pakuptueshme dhe të papritur, hodhi në kosh të plehrave vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e ka detyruar të ruajë postin e kryetarit të Bashkisë, pasi i duhet të shkojë në Strasburg si kryebashkiak i burgosur.

Nëse SPAK-u nuk do të kishte bërë atë masakër që ka bërë mbi të, për shkak të protagonizmit personal të dy prokurorëve, të cilët nuk kanë lënë gjyqtar e dëshmitar pa kërcënuar, dhe nëse Gjykata e Lartë do të ishte treguar profesionale, nuk do ta kishim sot këtë konflikt.

Pra, gjithçka që ka ngjarë buron nga fakti se SPAK-u dhe drejtësia e re kanë prodhuar politikë më shumë sesa Erion Veliaj dhe Edi Rama dhe kanë arritur ta shkaktojnë këtë ndarje politike përmes veprimeve të tyre, që cenojnë çdo standard të drejtësisë.

Kjo është arsyeja pse këmbëngul se forca më e rëndësishme politike në vend dhe me më shumë pushtet është SPAK-u. Ai po e përdor këtë pushtet për të bërë politikë dhe për të diktuar të ardhmen politike të shumë figurave në vend. Është një rol që nuk ia ka dhënë as Kushtetuta dhe as reforma në drejtësi, por protagonizmi i tyre personal, mungesa e dhënies së llogarisë dhe, natyrisht, paprekshmëria ndaj ligjit që kanë garantuar nga këta që po dënohen njëri pas tjetrit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x