19.6 C
Tirana
02 / 11 / 2026

Shkalla e meritës në administratë, Pirdeni: Certifikatë 4-vjeçare për kandidatët. Nis në dhjetor platforma “Porta e hapur”

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren për Administratën Publike, Adea Pirdeni, kanë prezantuar një plan të ri transformimi për administratën publike, që synon rritjen e meritokracisë dhe vlerësimin e punonjësve në raport me shërbimin ndaj qytetarëve.

Gjatë prezantimit, Pirdeni theksoi se aktualisht ekziston një distancë mes aftësive profesionale të punonjësve dhe mënyrës se si sistemi administrativ i njeh dhe i shpërblen ato. Sipas saj, plani i ri synon ta vendosë meritën në themel të të gjithë ciklit të karrierës në administratën publike.

“Kemi një distancë shqetësuese mes aftësisë dhe mënyrës sesi sistemi arrin ta njohë dhe shpërblejë atë. Kjo distancë ka një kosto. Mungesa e meritokracisë në administrime ka qenë edhe një shqetësim i shprehur në protestat qytetare. Përtej përgatitjes dhe zhvillimit profesional te administratës, kjo është përgjegjësia që merr Ministria e re e Administratës Publike, ta kthejë integritetin në procesin e vlerësimit nga hyrja në administratë deri te përparimi në karrierë dhe drejtimi i institucioneve tona publike. Duam që merita të jetë një cilësi që sistemi është i detyruar ta njohë”, tha Pirdeni.

Ministrja bëri të ditur se një prej mekanizmave të rinj do të jetë sistemi kombëtar i testimit, përmes të cilit kandidatët do të kenë mundësi të vlerësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre edhe përpara se të shpallet një vend vakant në administratë.

Kandidatët që do të kalojnë testimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për katër vjet. Për këtë qëllim, po krijohet edhe sistemi kombëtar i provimeve digjitale, duke marrë si referencë modelin e vlerësimit të Kembrixhit.

Një tjetër risi është platforma “Porta e hapur”, e cila sipas Pirdenit do të jetë gati në muajin dhjetor. Përmes transformimit të portalit puna.gov.al, qytetarët do të mund të krijojnë profilet e tyre profesionale dhe të informohen për mundësitë e punësimit që përputhen me aftësitë dhe interesat e tyre të karrierës. Platforma do të jetë e aksesueshme edhe për shqiptarët që jetojnë në diasporë.

“Këtu merr kuptim shkalla e meritës, prek të gjithë ciklin e karrierës, hyrjen në administratë, vlerësimin dhe avancimin gjatë punës si dhe cilësinë e drejtimit. Për secilën prej fazave po ndërtojmë mekanizma konkretë. Duam që mundësia për të provuar veten të vijë para vakancës. Me sistemin kombëtar të testimit, kandidatët do të mund të testojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre, ata që kalojnë testimin, do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për 4 vjet. Për këtë po krijohet edhe sistemi kombëtar i provimeve digjitale, duke marrë si referencë modelin e vlerësimit në Kembrixh. Në këtë mënyrë krijojmë një rezervë talentesh të identifikuar të cilëve administrata mund t’u drejtohet kur ka nevojë për aftësitë e tyre. “Porta e hapur” do të jetë gati në dhjetor, ku përmes transformimit të portalit puna.gov.al, qytetarët mund të krijojnë profile profesionale dhe të njoftohen për mundësitë që përputhen me aftësitë dhe interesat e tyre të karrierës. Do të jetë i hapur edhe për shqiptarët në diasporë. Do të krijojmë për herë të parë katalogun kombëtar të pozicioneve dhe kompetencave nga viti në vijim, për të patur të qartë familjet tona të profesioneve dhe aftësitë që kërkon çdo profil. Do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë cilësie së drejtimit të institucioneve tona publike”, theksoi Pirdeni.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x