12.8 C
Tirana
28 / 10 / 2026

LETRA/ Sazan Guri i kërkon Berishës që të largohet nga drejtimi i PD-së: Tregohu burrë dhe jep dorëheqjen, hap rrugë për…

Sazan Guri i ka kërkuar publikisht Sali Berishës të japë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike, duke argumentuar se opozita ka nevojë për drejtues të rinj dhe një hapje më të madhe ndaj figurave me perspektivë.

Në një letër të hapur drejtuar Berishës, të publikuar në rrjetet sociale, Guri shkruan se problemet e vendit nuk lidhen vetëm me qeverinë, por edhe me dobësinë e opozitës për të ofruar një alternativë bindëse.

Sipas letrës së firmosur nga “Akademia Rrënjët Tona”, Partisë Demokratike i ka munguar një perspektivë për të ardhmen dhe një platformë e qartë për zgjidhjen e problemeve të vendit.

“Pika më e dobët e kësaj opozite është mos promovimi i kuadrit të ri me perspektivë dhe mos hapja sa duhet e partisë për rritjen e bazës demokratike të saj”, thuhet në letër.

Më tej, Berishës i kërkohet drejtpërdrejt të largohet nga posti i kryetarit të PD-së, duke ruajtur, nëse dëshiron, një rol honorifik.

“Ju ftojmë të jepni dorëheqjen nga kryetar i partisë, duke ruajtur një post honorifik, për t’i hapur rrugë drejtuesve të rinj me kurajë dhe mendim novator”, thuhet në letër.

Edhe në postimin që shoqëron letrën, Guri përdor një gjuhë më të drejtpërdrejtë ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit.

“Tregohu burrë për herë të tretë, jepe atë dorëheqje për hatër të studentëve që nuk ju duan të dyve”, shkruan ai, duke e vendosur Berishën dhe kryeministrin Edi Rama në të njëjtën kritikë politike.

Sipas Gurit, largimi i Berishës nga drejtimi i PD-së do t’i hapte rrugë një gjenerate të re në opozitë dhe do të shërbente edhe si një shembull për drejtuesit politikë që, sipas tij, kanë konsumuar perspektivën e tyre.

Letra e Sazan Gurit, drejtuar kreut të PD-së, Sali Berisha:

“Drejtuar: Kryetarit të Partisë Demokratike z. Sali Berisha

I nderuari z. Berisha,

Situata e vështirë që po kalon Kombi ynë, në nivel të ulët demokracie dhe risqe të mëdha kombëtare, na bën të reflektojmë të gjithë jo vetëm për shkaqet dhe pasojat, por mbi të gjitha për zgjidhjen e problemeve që po hasim.

Akademia Rrënjët Tona beson se këto zgjidhje nuk qëndrojnë vetëm tek gabimet apo fajet e Kryeministrit apo qeverisë së tij, por dhe tek forca e opozitës për t’u ballafaquar dhe zgjidhjes së këtyre problemeve.

Ne mendojmë se Partia Demokratike dhe partitë opozitare që e mbështesin, nuk duhet të jenë vetëm kritizere, për të cilin deri diku e kanë luajtur këtë rol, por i ka munguar perspektiva e së ardhmes, si dhe mungesa e besimit në popull. Mbi të gjitha i mungon platforma e nxjerrjes së vendit nga ky batak, për të cilin në përgjithësi jeni marrë me pasojat.

Pavarësisht nga roli historik që kini pasur dhe arritjet në fushën e ndërtimit të shtetit, keni mbetur një opozitë me reminishenca të vjetra, që sheh pak nga e ardhmja dhe zgjidhja e problemeve të mëdha të vendit. Pika më e dobët e kësaj opozite është mos promovimi i kuadrit të ri me perspektivë dhe mos hapja sa duhet e partisë për rritjen e bazës demokratike të saj.

Në këtë kuptim ju ftojmë të jepni dorëheqjen nga kryetari i partisë, duke ruajtur një post honorifik, për t’i hapur rrugë drejtuesve të rinj me kurajë dhe mendim novator, për të fituar besimin e votuesve dhe të zgjidhin problemet e kohës.

Dorëheqja juaj, jo vetëm do çlironte forcat opozitare nga perspektiva qeverisëse, por do të ishte dhe shembull i respektueshëm për të gjithë drejtuesit që u mbyllet perspektiva.

Shpresojmë të ndihmojmë në vendimmarrjen tuaj, si një hap që do risi respektin për ju dhe do kontribuojë në rritjen e shkallës demokratike në Shqipëri.

Me respekt

“Akademia Rrënjët Tona”

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x