Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dyshohet se ishte përgatitur të përdorte forcën për të qëndruar në pushtet pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, por ndryshoi qëndrim në momentet e fundit pas presionit dhe telefonatave nga përfaqësues të qeverive europiane. Kështu raporton gazeta britanike The Times, duke cituar politikanë dhe një ish-zyrtar të lartë të policisë serbe.
Sipas raportimit, Vuçiç ishte përballur me sfidën më të madhe politike në 12 vitet e tij në pushtet, pasi Lista Studentore siguroi një fitore të thellë në zgjedhjet e 25 tetorit. Burimet e cituara nga gazeta pretendojnë se presidenti serb kishte shqyrtuar mundësinë e kundërshtimit të rezultatit përmes forcës dhe krijimit të trazirave.
Spasoje Vuleviç, ish-komandant i Njësisë Speciale Kundër Terrorizmit në Serbi, pretendoi se mijëra policë dhe persona të lidhur me pushtetin ishin vendosur në qendër të Beogradit, në një lëvizje që, sipas tij, synonte mbrojtjen e regjimit.
“Jam 100% i sigurt se ai kishte planifikuar të mos i njihte rezultatet”, citohet të ketë deklaruar Vuleviç për The Times.
Edhe Sandro Gozi, eurodeputet dhe drejtues i Partisë Demokratike Europiane, tha se gjatë ditës së zgjedhjeve kishin mbërritur informacione shqetësuese nga burime diplomatike për mundësinë që Vuçiç të përpiqej të kundërshtonte rezultatin me forcë.
Ndërkohë, Radomir Saiçiç, kandidat i Listës Studentore, pretendoi se ekzistonte një plan për të përdorur dhunën në rast se rezultati zgjedhor do të ishte i ngushtë. Sipas tij, telefonatat nga persona të lidhur me policinë dhe institucione të tjera e bindën Vuçiçin të ndryshonte qëndrim.
Çfarë ndodhi në Beograd?
Sipas The Times, gjatë ditës së zgjedhjeve, grupe burrash të veshur me të zeza u panë duke u drejtuar drejt parkut Pionirski në Beograd, ku prej muajsh ndodhej një kamp me çadra i ngritur nga mbështetës të Vuçiçit.
Në të njëjtën kohë, forcat e xhandarmërisë u pozicionuan në zonë, disa rrugë u bllokuan dhe në disa pjesë u fik ndriçimi publik. Avokati Rade Gjuriç, i lidhur me Shoqatën e Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, ngriti dyshime se mund të ishte përgatitur një skenar për të pretenduar parregullsi zgjedhore, për të kërkuar përsëritjen e votimit dhe për të nxitur protesta që do të justifikonin anulimin e rezultatit.
Megjithatë, rreth orës 21:30, afërsisht një orë e gjysmë pas mbylljes së qendrave të votimit, Vuçiç pranoi humbjen, ndërsa grupet e burrave të mbledhur në qendër të Beogradit u larguan, sipas raportimit të gazetës britanike.
Telefonata nga Europa?
Burime të cituara nga The Times sugjerojnë se presioni diplomatik mund të ketë ndikuar në vendimin e presidentit serb për të mos kundërshtuar rezultatin. Në Beograd kanë qarkulluar gjithashtu pretendime të pakonfirmuara se në këtë proces mund të ketë ndërhyrë edhe Viktor Orbán, ish-kryeministri hungarez.
Megjithatë, nuk ka konfirmim të pavarur për identitetin e personave që mund ta kenë telefonuar Vuçiçin apo për përmbajtjen e këtyre bisedave.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Vuçiçit ka kundërshtuar pretendimet se prania e forcave të policisë lidhej me një plan për marrjen e pushtetit me forcë. Sipas saj, masat e sigurisë synonin parandalimin e dhunës nga protestuesit.
Fitorja e Listës Studentore shënon një kthesë të rëndësishme në politikën serbe. Megjithatë, pretendimet për një plan të mundshëm për grusht shteti mbeten akuza të burimeve të cituara nga The Times dhe nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Burimi: The Times
- “Do të krijojmë një qeveri të re”/ Eisenkot pas zgjedhjeve në Izrael: Do të sjellim ndryshimin - 28/10/2026
- VKM/ Nga paga te antikorrupsioni, roli dhe përgjegjësitë e reja të Ministrisë së Administratës Publike! - 28/10/2026
- LETRA/ Sazan Guri i kërkon Berishës që të largohet nga drejtimi i PD-së: Tregohu burrë dhe jep dorëheqjen, hap rrugë për… - 28/10/2026