Nga Edison Ypi
Kot thonë: kjo protestë është e hidhur, e ëmbël, e dëmshme, e dobishme, e mrekullueshme, e rrezikshme, e egër, me krye, pa krye etj. etj.
Kjo protestë nuk është asnjë nga këto, dhe të gjitha këto.
Kjo protestë është vetëm e bukur.
Sa i bukur bulevardi dhe qyteti me pllaka të shkulura, bordura të coptuara, vetrina të thyera, qepena të shkatërruara, horror i tëri. Horrori është i bukur. Ta hap oreksin. Ta ndez imagjinatën. Peizazh hënor. Si te filmi “The day after”. Tablo kryevepër. Për t’u varur në muzè.
Sa bukur po manovron ky Edi Rama, që e di se Europa nuk na pranon me opozitë banditash, me haxhiqamilë që mezi presin të vinë në pushtet vetëm për të vjedhur, por vetëm me një forcë opozitare serioze si këta halabakët me pagesë që po hedhin bomba, po kacavjerren nëpër shtylla për të thyer semafora dhe ndriçuesa.
Tmerrësisht bukur po e luan rolin e vet edhe megahajdutja Bella da morire, që po qëndron e pamposhtur pa i bërë tërr syri përballë drejtësisë, me vendosmërinë e burrneshës Shote Galica përballë turqve, dhe shpirtin luftarak të legjendares Nora Kelmendi.
Sa bukur po e hedh vallen e revolucionit demokrati Doktor Hajduti, duke i paguar aq tepër zjarrvënësit dhe hedhësit e molotovëve, sa nuk duken si djaj të Ferrit që Sali Grataçielin e pret, por si engjëj të Parajsës që Policia meriton.
Një tjetër kryevepër, bukuri revolucionare që vret, është loja e Dhëndër Legenit. Ky dhjaks po bën si fisnik, si aristokrat, si intelektual. Por në fakt është një spiun i ndyrë, një zengjin i ri i neveritshëm, një hajdut dhe halabak që s’ka shok.
Një bukuri krejtësisht e veçantë, e vetme, pa precedent në historinë e botës, është Opozita që i ka rënë për hise dhuratë nga qielli Edi Ramës, kjo bushtër hajdute e pangopur që nuk preferon marrjen e pushtetit me votë për të qeverisur, por vetëm me dhunë, dhe vetëm për ta vjedhur.
Sa të bukura dhe inteligjente, sulmet dhe tërheqjet e destruktorëve. Sa mahnitëse strategjitë e turmave shkatërrimtare. Duken si valle, me koreografi me të tëra. Krejt si Malli i Lasgushit: Yxhym o yxhym që shkon e vjen, vjen e shkon e prapë vjen, yxhymi yxhymin më s’e gjen.
Sa bukur e imitojnë, dhe sa besnik i qëndrojnë, bolshevizmit turmat pa kokë që zbatojnë përpikmërisht parimin revolucionar kinez maocedunist: turbullo-kthjello.
O Zot, sa të bukura janë, dhe sa bukur po i krehin flokët vajzat protestuese. Tamam si tha Kadare: Ujvara të vogla që përmbytin botën me ëmbëlsi.
Sa të bukura i kanë bërë tatuazhet çunat e protestës. Protesta do të mbarojë. Tatuazhet do të duken demodè. S’ka problem. I heqin me brisk rroje.
Sa bukur, qartë dhe saktë, po i bëjnë hesapet këta konspiracionistët e banaqeve. Me vende, me emra, me data, me të gjitha. Kurrë nuk u del fjala. Po ç’rëndësi ka, kur askujt nuk i intereson të dijë ç’u bë, por vetëm ç’u tha.
Fallxhoret dhe magjistricat po veprojnë shumë bukur, duke dhënë edhe ato një ndihmesë të paçmuar në fushën pjellore të nxjerrjes së parashikimeve ndjellakeqe të Fatit nga llumi i kafes së filxhanit të përmbysur.
Sa bukur që nëpër botë vdesin çdo ditë me qindra nëpër luftëra me bomba, tanke, drona, ndërsa këtu, ku po bëhet hataja duke shkulur qepena e thyer xhama, s’vdes asnjë.
Sa e bukur është jeta kur në Tiranë bëhet luftë, në Plasë luhet Yç me tre, në Mokër dëgjohen zilka, në Trebeshinë të deh trumza, në Rinas aeroplanët sjellin turistë, në Ukrainë vriten foshnja; në Angli bie shi, në Francë digjen bizneset, në Milano vjedhin dyqanet, në Iran falen në xhami.
Sa e bukur është kjo Mesjeta që po troket në dyert e Arbërit, kjo e zeza që do të vijë dhe do të ulet këmbëkryq nja 500 vjet.