Nga Falma Fshazi
Një artiste franceze, në një postim mbi protestën e djeshme, që grumbulloi qindra mijëra njerëz, sidomos të rinj, në Francë, thoshte se duhet t’ i duam të rinjtë. Qeveria duhet t’i dojë. Vetëm duke i dashur vërtetë, mundemi t’i kuptojmë, sepse për t’i kuptuar, duhen dëgjuar me gjithë hapësirën e zemrës e mendjes, pa i paragjykuar.
Ka shumë të drejtë.
Padyshim që dhuna, nga kushdo që vjen, është e tmerrshme. Të shohësh trotuarët e kthyera në artileri, asfaltin në shtrat trupash të lodhur prej përleshjeve, zjarrin, lotët, tymin, është e tmerrshme.
Por kjo nuk është arsye e mjaftueshme për të denigruar individualisht apo në grup protestuesit, sidomos për ata që kanë njëfarë moshe, e kanë pasur fatin të kontribuojnë në vend, më shumë se të rinjtë që mezi presin të jenë pjesë e historisë së tij.
Aq më tepër kur gjithkush pret zgjidhje. Gjithkush pret përgjigje.
Një mik më tha dje: «Mos u mërzit, është vjeshtë revolucionare në të gjithë botën». Po, por cili do të jetë revolucioni në një vend ku nuk ka alternativa politike, siç mund të ndodhë, për shembull, në Francë, përmes zgjedhjeve, fushata e së cilave ka filluar tashmë ?
Zgjidhja, mendoj, nis duke i dashur njerëzit, gjë që mundëson të kuptuarit e tyre. Askush, e sidomos qeveria, nuk është e pagabueshme. Gabimi është njerëzor, e qeveritarët duhet të jenë njerëzit më modestë në këtë moment.
Gabimet, duke filluar prej komunikimit jodashamirës, duhet të pranohen. Një ndjesë për mungesën e analizës komplekse dhe për menaxhimin sipërfaqësor të krizës së thellë të besimit, prezente prej të paktën 3–5 muajsh, do të ishte hapi i parë për paqtim.
Si vijim: deklarimi i një moratoriumi ndërtimesh; moratorium për projektet; revokimi i reformës territoriale; ngrirje e hapave për ndryshime në lidhje me institucionet e drejtësisë më saktësisht ndërhyrjeve në kod penal që pengojnë hetimet; heqja e menjëhershme e imunitetit për çdo deputet të cilit i kërkohet nga institucionet e drejtësisë; nisja e punës për reformën zgjedhore, ashtu si edhe për rishikimin e kompetencave të presidentit, të zhveshur nga PD dhe PS prej çdo mundësie konkrete t’i shkojë ndesh qeverisjes.
Kërkesë e hapur drejtuar një institucioni ndërkombëtar të besuar prej publikut, për krijimin dhe mbeshtetjen e një grupi shqiptarësh të spikatur për integritetin dhe profesionalizmin, për organizimin e një kuvendi kombëtar të qytetarëve. Në Evropë ka ekspertë të demokracisë së drejtpërdrejtë, të cilët mund të thirren për të ndihmuar organizimin e këtij kuvendi kombëtar të qytetarëve dhe nismave të tij.
Më pas, dhe shumë shpejt, përqendrimi i qeverisë në përgatitjen e vendit për zgjedhje të parakohshme (vendore e te përgjithshme bashkë ndoshta) me kushtin e negocimit dhe të përgatitjes së një reforme zgjedhore bashkë me kuvendin e qytetarëve.
Qartësisht, besimi mes qeverisë dhe popullit është thyer rëndë. Përderisa vetë qeveria i ndan shqiptarët në ata që thyejnë dhe ata që duan progresin, mes të zgjuarve e kokëboshëve, mes mbështetësve e ziliqarëve.
Problemi i drejtimit të vendit është shumë i madh, përderisa jemi kaq të brishtë përballë forcave të huaja, që sipas qeverisë destabilizojnë Shqipërinë prej muajsh e javësh, e gjithnjë e më me shume ndikim. E kjo dobësi përballë «forcave të errëta», e qartë prej disa muajsh tashmë, përbën një arsye më shumë për të rindërtuar institucione të forta, të besueshme, të përgjegjshme e transparente.
Dorëheqja, në këtë rast, nuk mendoj se ka ndonjë kuptim në vetvete. Por ndjesa dhe ndalimi urgjent i proceseve që e kanë çuar vendin në këtë pikë më duken të domosdoshme.
Padyshim, dhuna është e pajustifikueshme. Por dhuna, në kushtet kur nuk ka mundësi për zgjidhje politike, nuk zgjidhet as vetëm me forcën e policisë, as me forcën e propagandës. Ndaj duhen hapa të menjëhershëm, të bazuar në dashamirësi edhe ndaj të riut që s’di më ç’të bëje e gjuan me gurë. Është qytetar i këtij vendi dhe, ndoshta, ka ende kohë për të ndryshuar qëndrim. Por ndryshimin ai nuk mundet ta sjellë vetëm, e as me gurë.
Ne mundemi ta ndihmojmë, sepse, në thelb, ajo çfarë do është, siç e thotë poeti i rinisë e siç e kanë thënë për muaj me radhë flamingot në bulevard:
«Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re…»
Të ulemi shtrembër e të flasim drejt. Rinia, e huaj apo shqiptare, e ditur apo e paditur, ziliqare apo admiruese, është e nesërmja. E nesërmja nuk ndalohet.
Ndaj, ne duhet t’i mbahemi amanetit te poetit, – si një thirrje shqiptare drejtuar rinisë kudo të jetë, si një shprehje maturie demokratike e frymëzimi për për të gjitha vjeshtat «revolucionare» – i cili thërret :
Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marrë udhë.
Thueja kangës, rini, pashë sytë e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxitë me dashnu
me zjarrmin tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme që i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi.
Kumbimi i zanit të përplaset për qiell
dhe të kthejë prapë te na — se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort, si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplotë!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.