22.6 C
Tirana
19 / 10 / 2026

Organizatat kërkesë palëve politike për dialog, Rama: Kur të doni dhe ku të doni, pa kushte!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj thirrjes së një grupi organizatash të shoqërisë civile dhe mediave, të cilat u kanë kërkuar përfaqësuesve politikë dhe drejtuesve të shtetit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog, në një kohë kur protestat vijojnë në Tiranë.

Në reagimin e tij, Rama shprehet i gatshëm për dialog me protestuesit, duke theksuar se qeveria është e hapur për bisedime në çdo kohë dhe pa kushte. Megjithatë, kreu i qeverisë u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave të distancohen nga aktet e dhunës, zjarrvënia e institucioneve dhe përfshirja e të miturve në tubime të dhunshme.

“Jepeni ju të parët shembullin e dialogut dhe për sa i takon qeverisë ne do të jemi aty. E ndërkohë distancohuni qartë nga dhuna, gurët, zjarrvënia e institucioneve, keqpërdorimi i të miturve, që të ndihmoni kësisoj edhe protestuesit paqësorë të ushtrojnë të drejtën e tyre, e cila nuk rrezikohet nga policia po nga dhunuesit që i prijnë maskaradës pseudo-studentore”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson gjithashtu se e drejta për protestë paqësore duhet të respektohet dhe se siguria dhe dinjiteti i qytetarëve duhet të jenë prioritet.

“Dhe po, të respektojmë të gjithë bashkë të drejtën e protestës paqësore. Ta mbrojmë të gjithë bashkë jetën dhe dinjitetin e çdo personi. Asnjë jetë nuk duhet vënë në rrezik dhe asnjë lojë nuk duhet bërë me jetën e vendit. Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte”, përfundon reagimin e tij kreu i qeverisë.

May be an image of text

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x