Nga Dritan Hila
Është bërë virale në rrjet një studente që duke qarë thotë që me rrogën 300 mijë lekë që merr nuk mund të blejë një apartament 300 mijë euro.
Sot nuk është koha e sqarimeve por dy gjëra i duhen shpjeguar asaj dhe të gjithë atyre që mendojnë se pas kësaj do ndryshojë diçka. Dhe nuk do të ndryshojë, kjo për faktin e thjeshtë se nuk do ndryshojë as kapitalizmi dhe as mekanizmi që e ka sjellë në këtë ditë.
Gabimi fillon nga prindërit e vajzës që nuk pyetën se në çfarë universiteti po e çonin. Ata kënaqeshin që po i jepnin vajzës një diplomë e cila në fakt është një copë letër pa vlerë në tregun e punës. Universitetet tona nxjerrin mall skadent për tregun e punës jo vetëm për atë të jashtëm por edhe për atë vendas. Këtu është faji i shtetit duke filluar nga epoka Berisha 2 i cili i shpërndau licencat e universiteteve si fishekë me fara luledielli dhe sot mijëra juristë, ekonomistë, shkenca sociale, filozofë, gazetarë, nuk kanë vend në tregun e punës thjesht se është i paplanifikuar dhe përgatitja e studentëve pa vlerë.
35 vite më parë kur vendi kishte me qindra fabrika, uzina, ndërmarrje bujqësore, dilnin 3 mijë të diplomuar në vit. Sot kaq dalin vetëm juristë. Madje këtu edhe pedagogët e universiteteve në shumicën e tyre janë gjysmakë. Mjafton t’i ndjekësh në rrjetet sociale dhe kupton formimin e tyre bazik. Madje edhe Universiteti i Mjekësisë i cili presupozohet të ketë nivel, mjekët e vjetër të thonë “Mjerë ne në dorë të kujt do biem”. Dhe sot, në vend që prindërit e studentëve të kërkojnë universitete më kompetitivë, më shumë laboratorë, më shumë biblioteka, kërkojnë liberalizim më të madh të universiteteve duke çuar në një përdhosje të këtij sistemi i cili edhe sot që flasim, asnjë universitet shqiptar nuk hyn në renditjen e 6.000 universiteteve botërore.
Faji tjetër është i kapitalizmit shqiptar. Ai është primitiv, i ngritur mbi baza familjare, kryesisht i përqendruar në shërbime apo në funksion të tyre, i cili nuk prodhon vlerë të shtuar. Punëtori shqiptar është ai me produktivitetin më të ulët dhe i tillë është edhe kapitalisti. Pronarët shqiptarë duan të punësojnë në drejtim apo zëvendës, fëmijët e tyre. Punësimi i të huajve nga jashtë familjes maksimumi shkon deri tek nipi apo mbesa që do të mbajë llogarinë. Nuk bëhet fjalë që të kenë CEO, ndoshta edhe pse aq është takati i tyre. Madje edhe punëtorët i duan nga fshati i origjinës.
Tani të vijmë tek apartamenti i vajzës. Në asnjë vend të botës veçanërisht të perëndimit, një i sapodalë nga bankat e universitetit nuk blen dot një shtëpi. Duhet të kursejë 10 vjet nëse ka fat që të gjejë një punë që paguhet që vitin e parë, në mënyrë që të paguaj primin e 30% që kërkon banka. Pas kësaj nëse është beqare mund të pretendojë për një garsonierë 40 m2 në lagjet popullore periferike. Nëse do më shumë, duhet të martohet, ku rroga e njërit nga bashkëshortët do shkojë për pagesat e kredisë. Që të lajë kredinë do t’i duhen 15 deri 20 vite. Jo pa arsye gjysma e popullsive në Gjermani, Austri, Zvicër, jetojnë në shtëpi me qira. Pastaj nëse do që të ikësh nga qyteti apo fshati ku ke lindur dhe të blesh shtëpi në qendër të Tiranës, ky nuk është problemi i shoqërisë dhe i asnjë qeverie. Sepse edhe në botë shumë e dëshirojnë që të jenë pjesë e shoqërisë së lartë sapo mbarojnë shkollën, por shumica jetojnë në shtëpinë e prindërve derisa shkojnë 30 apo më shume vjeç, pasi nuk iu del llogaria.
Në botë funksionon ashensori social i cili ndalohet në çdo kat dhe nuk të çon nga kati i parë i jetës në të dhjetin. Në Shqipëri dhe në gjithë lindjen që doli nga komunizmi, ky ashensor ka qenë i prishur. Por kapërcimet si në përralla ndodhën 15 vitet e para. Pastaj tregu i pasanikëve u stabilizuar, klientela politike u pozicionua dhe nuk ndodhin më çudira. Ndodh vetëm nëse ti ke një ide të re biznesi. Por këto ndodhin shumë rrallë. Dhe natyrisht që kjo të frustron. Por rrugëzgjidhjet janë brenda sistemit. Ato revolucionare vdiqën në vitin ‘89 të shekullit që shkoi, dhe përplasjet në rrugë kanë vetëm adrenalinën e ditëve të para, ku të gjithëve iu vjen keq për ty, por të gjithë i nënshtrohen sistemit. Ca më keq për ty pasi do ta kesh vështirë të punësohesh pasi askush nuk do në punë dikë që do të djegë qendrën e punës. Anarkia me djegien e dyqaneve dhe bankave mund të vazhdojë edhe ca ditë, por kjo klasë politike (majtas dhe djathtas) dhe biznesmenët, nuk kanë aspak ndërmend që të hapin rrugë. Për momentin mund të jenë të tulatur, por shumë shpejt do fillojë seleksionimi, adrenalina e revolucionarëve do fillojë të bjerë kurse ata që kanë përballë do fillojnë të marrin veten nga shushatja, dhe llogaritë do jenë personale.
Statistikisht, që nga viti 1600 kur në Evropë filloi të dilte një klasë e re sociale, dhe deri më sot, asnjë familje nuk e humbi statusin e saj pasuror. U shtuan borgjezë të rinj rrugës së viteve, por nuk pati humbje. Kjo do të thotë që revolucionet, përveç trazirave, nuk sjellin zhvillim apo ndryshim social. Përjashto rastet e atyre komuniste, ku e shumta u arrit që të instalohej një klasë e re sunduese, por ku në fund të rrugëtimit, turma që brohoriste u katandis më keq.