21.5 C
Tirana
14 / 10 / 2026

KOMENTI IM MBI PROTESTAT AKTUALE STUDENTORE NË SHQIPËRI

Nga Dr. Klaudia Koxha*

Sa herë që një protestë përshkallëzohet në dhunë, dëgjojmë pothuajse të njëjtin reagim: “Protesta është një e drejtë demokratike, por dhuna është e papranueshme”.

Për ne që studiojmë shkenca politike, ky deduksion është dembelizëm intelektual.

Sepse kjo mënyrë e të menduarit merr të mirëqenë diçka që duhet vënë në pikëpyetje: legjitimitetin e pushtetit për të kërkuar bindje nga qytetarët.

Pse e shohim dhunën në protestë si dobësim të standardeve demokratike, por jo gjithmonë dobësimin e standardeve demokratike si një nga shkaqet e dhunës?

Në librin Justifying Violent Protest (shqip: Të përligjësh protestën e dhunshme), James Greenwood-Reeves sfidon një nga supozimet më të rrënjosura të demokracisë liberale, supozimin se dhuna e përjashton automatikisht një protestë nga kufijtë e legjitimitetit demokratik.

Argumenti i tij është i guximshëm dhe provokues, por i rëndësishëm. Shteti nuk ka një të drejtë të pakushtëzuar për të kërkuar bindje. Kërkesa e tij për bindje është edhe një pretendim moral, që duhet justifikuar. Dhe kur institucionet veprojnë në mënyrë të padrejtë, kur nuk respektojnë të drejtat e qytetarëve, dobësohen edhe arsyet morale për t’iu bindur këtyre institucioneve.

Kjo nuk do të thotë se çdo formë dhune është e justifikueshme. Do të thotë se dhuna nuk mund të jetë automatikisht fundi i diskutimit mbi legjitimitetin e një proteste.

Në fund të fundit, edhe protesta paqësore është një formë ndërprerjeje apo thyerje e normalitetit. Ajo mund të bllokojë rrugë, të pengojë qarkullimin, të zërë hapësira publike. Dhe megjithatë, ne e pranojmë këtë thyerje si pjesë të demokracisë, sepse demokracia nuk është thjesht ruajtja e rendit. Është edhe mundësia për ta kundërshtuar një rend aktual.

Tani, le të kthehemi te Shqipëria.

Kur qytetarët protestojnë paqësisht për muaj me radhë, çfarë ndodh kur kërkesat e tyre nuk dëgjohen? Kur e drejta për të protestuar përballet me pengesa apo ndërhyrje nga institucionet?

A mund ta analizojmë përshkallëzimin e dhunës duke u përqëndruar vetëm te veprimet e protestuesve, a thua se institucionet nuk kanë luajtur asnjë rol në krijimin e kushteve që i paraprinë kësaj dhune?

Protestuesit nuk janë të vetmit aktorë në marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit. Dhe përgjegjësia për përshkallëzimin nuk mund të shqyrtohet vetëm në njërën anë të kësaj marrëdhënieje.

Ky koment nuk është thirrje për dhunë. Është thirrje për ta marrë seriozisht demokracinë, edhe kur ajo na detyron të shtrojmë pyetje të pakëndshme.

Sepse ndonjëherë, përpara se të pyesim pse qytetarët nuk i binden më shtetit, duhet të pyesim:

Çfarë ka bërë shteti për ta merituar bindjen e tyre? Ose në të kundërt, si ka kontribuar shteti në mosbindjen ndaj tij?

*Doktore në Shkencat Politike, Universite’ de Lausanne

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x