21.8 C
Tirana
10 / 10 / 2026

“Korrupsioni i kuq”/ Si u bënë ish-komunistët kapitalistët e parë? Kajsiu: Paradoksi që deformoi tranzicionin shqiptar

Politologu Blendi Kajsiu thotë se një nga paradokset themelore të tranzicionit shqiptar ishte fakti që politikat e ndërmarra në emër të antikomunizmit favorizuan shpesh pikërisht shtresat që kishin më shumë kapital social, financiar dhe lidhje të trashëguara nga sistemi i vjetër.

Në një intervistë për podcastin “Apostrof”, Kajsiu argumenton se në fillim të viteve ’90 koncepti i korrupsionit kishte një kuptim shumë më të gjerë nga ai që përdoret sot dhe përfshinte edhe mënyrën se si ish-komunistët po shndërroheshin në kapitalistët e sistemit të ri.

“Degradimi ishte që komunistët u bënë kapitalistë. Ky ishte degradimi më i madh, pra ishte më larg idealit antikomunist sesa ç’mund të imagjinohej”, shprehet Kajsiu.

Sipas tij, politikat e privatizimit, reduktimit të shtetit dhe deregullimit krijuan një terren ku avantazh kishin ata që zotëronin tashmë kapital financiar dhe social, arsim apo lidhje, ndërsa shumë prej ish-të persekutuarve politikë hynin në ekonominë e re pothuajse pa burime.

“Politikat antikomuniste, privatizimi, reduktimi i shtetit, deregullimi, nga të gjitha këto përfituan ish-komunistët, sepse ata kishin kapital social, kishin kapital financiar, dinin anglisht, ndërkohë që të persekutuarit politikë po dilnin nga burgu i Spaçit”, thotë ai.

Kajsiu e sheh këtë si një nga deformimet e hershme të sistemit politik shqiptar: Partia Demokratike mbështetej në një masë të madhe nga shtresa më të varfra, që sipas tij kishin nevojë për politika sociale, por mbështeste një program ekonomik neoliberal. Në anën tjetër, Partia Socialiste e viteve të para të tranzicionit kishte një bazë me më shumë kapital social dhe lidhje, e cila mund të përfitonte më shumë nga hapja e ekonomisë.

Pikërisht në këtë kontekst, shpjegon Kajsiu, në ligjërimin antikomunist të viteve ’90 u shfaq edhe koncepti i “korrupsionit të kuq”, që nuk nënkuptonte vetëm abuzimin me detyrën publike, por edhe pasurimin dhe transformimin e ish-elitave komuniste në klasën e re kapitaliste.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x