19.5 C
Tirana
05 / 10 / 2026

Miku gjerman që erdhi t’u diktonte shqiptarëve demokracinë tjetër

Nga Ardit Rada

Një politikan gjerman erdhi këtë javë në Tiranë dhe u shpjegoi shqiptarëve Shqipërinë. Anton Hofreiter drejton Komisionin për Çështjet Europiane të Bundestagut. Ai i tha Deutsche Welle-s se qeveria dhe parlamenti ynë kanë ende shumë punë për të bërë dhe se politikanët tanë nuk duhet t’u japin argumente atyre që duan ta mbajnë Shqipërinë jashtë Bashkimit Europian.

Pastaj radha i erdhi SPAK-ut. Askush nga politika nuk duhet të ndërhyjë tek ai, citon edicioni shqip i DW-së, “madje as verbalisht”.

Nw fakt ka një politikan që ka ndërhyrë verbalisht tek punët e drejtësisë: Më 31 korrik të vitit 2015, Prokurori i Përgjithshëm Federal i Gjermanisë po hetonte për tradhti ndaj shtetit dy gazetarë të blogut Netzpolitik. Hetimi ishte në zhvillim. Kreu i grupit parlamentar të të Gjelbërve në Bundestag e quajti atë për gazetën Rheinische Post, “të pabesueshëm, cinik dhe të dëmshëm për demokracinë”. Katër ditë më vonë, ministri i Drejtësisë e nxori prokurorin në pension. Gjashtë ditë pas kësaj, çështja u mbyll. Ai politikan ishte pikërisht Anton Hofreiter. Dhe kishte të drejtë.  Një prokuror mund t’ia shkatërrojë jetën një njeriu pa folur ende asnjë gjyqtar. Dhe një përfaqësues i zgjedhur, fjala bie një deputet apo kyrebashkiak, duhet të ketë mundësinë ta thotë këtë me zë të lartë.

Atëherë, çfarë ndryshoi nga Berlini në Tiranë? Parimi apo vendi? Me siguri vendi. Ligji gjerman madje ia lejon ministrit të Drejtësisë t’u japë udhëzime prokurorëve. Në vitin 2019, vetë Gjykata e Bashkimit Europian vendosi se prokurorët gjermanë janë tepër të varur nga ministrat për të lëshuar një urdhërarrest europian. Një ministër gjerman mund t’i japë urdhra një prokurori. Një deputet shqiptar nuk mund t’i shprehë as një mendim se përndryshe quhet ndërhyrje në drejtësi…

Çdo shqiptar e njeh këtë skenë: Një mik të vjen në shtëpi dhe të jep mend, derisa të gjykon edhe familjen. Madje të thotë se e gjithë shtëpia ka nevojë të ndreqet. Pastaj tregon me gisht rojën te dera dhe thotë se askush në shtëpi nuk duhet të thotë asnjë fjalë për të.

Kjo është Shqipëria që fshihet pas togfjalëshit “madje as verbalisht”. Qeveria është e përlyer. Parlamenti është i përlyer. Po ashtu partitë, ministritë, shtypi dhe, kushedi, edhe ai që shet misra përpara Parlamentit. Vetëm një institucion është i pastër dhe qëllon të jetë pikërisht ai që kanë mbështetur miqtë tanë. I pastri duhet mbrojtur nga të përlyerit, madje edhe nga zëri i tyre.

SPAK-u mund të kontrollojë një ministri, të sekuestrojë një telefon dhe të kërkojë që një njeri të burgoset pa nisur ende gjyqi. Në shkurt 2025, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese u mbajt nën vëzhgim për pesëmbëdhjetë ditë, vetëm me firmën e një prokurori, pa iu kërkuar autorizim asnjë gjykate. Këtë pushtet ia dhamë ne, shqiptarwt. Parlamenti e përfshiu SPAK-un në Kushtetutë në vitin 2016, me unanimitetin e 140 votave. Dhe Po! Të huajt ndihmuan dhe e dimë. Këtu ishim.

Tani parlamentit që e krijoi i thuhet të heshtë për të. Edhe qeverisë. Pushtet mbi të gjithë dhe kritika nga askush. Kjo mënyrë ushtrimi pushteti ka njw emwr nw teoritw e sistemeve politike dhe quhet tirani. Zoti Hofreiter po i kërkon një vendi të dorëzohet përpara njërit prej institucioneve të veta.

Kuvendi nuk është dorëzuar. Në korrik i dërgoi SPAK-ut 32 rekomandime. Njëri prej tyre, për mënyrën e emërimit të drejtuesit të hetimit, ishte bërë me kërkesë të vetë Bashkimit Europian. Mirëpo sipas rregullave të zotit Hofreiter, kjo ishte ndërhyrje.

Ai thotë se Shqipëria mund t’i mbyllë kapitujt e negociatave në vitin 2027. Këtë do të duhet ta bëjnë parlamenti dhe qeveria “e përlyer”, sepse një prokurori nuk mund të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit. Ndërsa populistët thonë se institucioneve shqiptare nuk mund t’u besohet. Edhe miku gjerman në fakt thotë të njëjtën gjë, por me një përjashtim.

Një pjesë të kësaj e kemi merituar. Për 30 e kusur vite, politikanët shqiptarë kanë shkuar nga njëra ambasadë në tjetrën duke e quajtur njëri-tjetrin hajdut. Miqtë e huaj i besuan. Tani i besojnë institucionit që mbështetën më shumë sesa vendit që e rrethon.

Kur e pyetën për një protestë, Hofreiter u përgjigj me një lutje: “Ju lutem, respektoni shtetin e së drejtës”. Për “të gjithë politikanët” në Shqipëri kishte një porosi: ta bëjnë punën sa më mirë që të munden. Ai e quan veten mik të Shqipërisë dhe miqtë e këtij lloji gjithmonë i dinë gjërat më mirë. Vijnë me avion, marrin një informacion për gjendjen dhe largohen pasi i kanë vënë notën një vendi, si të ishte një detyrë shkolle. Në vendin e vet, zoti Hofreiter është një deputet opozitar mes 630 deputetësh. Në Tiranë, ai është Europa. Ky është absurditeti i një klase politike që u imponon vendeve kandidate rregulla me të cilat do të qeshte në shtëpinë e vet.

Ballkani e njeh këtë ton. Në Bosnjë dhe në Kosovë, misionet ndërkombëtare i ndanë institucionet vendase në ato që u besonin, ato që i toleronin dhe ato që i mbikëqyrnin. Zoti Hofreiter foli në Tiranë si një shef misioni. Në një protektorat, kjo është mënyra si qeveriset. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe po negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.

SPAK-u duhet të ndjekë penalisht çdo ministër dhe çdo deputet ndaj të cilit mund të provojë akuzat. Dhe asnjë qeveri nuk duhet të ketë kurrë mundësinë t’i hapë apo t’i mbyllë një dosje. Ndërsa shqiptarët do të vazhdojnë të flasim për të. Disa nga ato që do të thuhen do të jenë të gabuara. Për disa do të vijnë nga njerëz që i tremben burgut. Edhe ata kanë të drejtë të flasin. Zoti Hofreiter e ushtroi këtë të drejtë në vitin 2015.

Në shtëpinë e vet, ai praktikon demokracinë. Në tonën, nuk ka të drejtë të na kërkojë t’i bindemi qorrazi .

T

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x