Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe Bashkimit Evropian të tregojnë më shumë guxim për procesin e zgjerimit, duke iu referuar vendimit historik të ish-kancelarit Helmut Kohl pas rënies së Murit të Berlinit.
Në intervistën për WELT, Rama e cilësoi Ballkanin Perëndimor si “vrimën” në mes të Evropës dhe paralajmëroi për rreziqet që, sipas tij, sjell lënia e vendeve të rajonit jashtë Bashkimit Evropian.
Duke përdorur një metaforë, kryeministri tha se një “bark i hapur” është i ekspozuar ndaj infeksioneve dhe plagëve, duke përmendur Rusinë, islamin radikal dhe kriminalitetin si rreziqe që mund të prekin rajonin.
Rama solli edhe një krahasim me familjen, duke iu referuar shtatë vendeve të Ballkanit që synojnë anëtarësimin në BE.
“A është më mirë t’i rrisësh fëmijët brenda familjes apo t’i lësh jashtë derisa të rriten?”, tha ai, duke argumentuar se vendet e rajonit do të ishin më të sigurta dhe më të lidhura me Evropën nëse do të afroheshin më shpejt me BE-në.
Pjesë nga intervista-
WELT: Të kthehemi te “vrima” në Evropë – ku qëndron rreziku?
Rama: Një bark i hapur është diçka e keqe. Kërcënohet nga infeksionet, plagët dhe kalbëzimi. Rusia është një virus. Islami radikal është një virus. Kriminaliteti është një virus.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shtatë fëmijë. Edhe ne jemi shtatë – shtatë shtete që duan të anëtarësohen në BE. A është më mirë t’i rrisësh fëmijët brenda familjes apo t’i lësh jashtë derisa të rriten? Sigurisht, një fëmijë në tryezë ka më pak të drejta. Nuk mund të kërkojë gjithçka.
Por jashtë ka shumë rreziqe. Një fëmijë miqësohet me gangsterë rusë. Një tjetër bëhet i varur nga lodrat kineze. Një i tretë zbulon ekstremizmin dhe hedh në erë lagjen.
WELT: Si datë e mundshme për anëtarësimin përmendet viti 2030. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka ofruar përshpejtimin e procesit, për shembull përmes një aksesi gradual në tregun e përbashkët evropian. A do të ishte kjo e dobishme?
Rama: Kancelari juaj dhe Evropa në tërësi duhet të rigjejnë guximin e Helmut Kohlit. Kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, Kohl nuk u tha gjermanolindorëve: “Tani keni 33 kapituj negociatash dhe më pas do t’ju pranojmë.” Ai tha: “Të gjithë jemi në të njëjtën varkë.”
WELT: A duhet BE-ja të mbyllë sytë ndaj problemeve, për arsye gjeopolitike?
Rama: BE-ja duhet të kërkojë edhe më shumë detyra shtëpie nga ne. Por ne duam të jemi pjesë e saj.
Shikoni Ukrainën. Ajo që i premtohet është një gënjeshtër. Në rrugën e rregullt të anëtarësimit, me të gjitha kriteret, ajo nuk do të pranohet kurrë. Të gjithë e dinë këtë. Ajo që do të ishte realiste është që Ukraina të sillet tani në tryezë dhe, përmes një procesi të bazuar në performancë, t’i jepet anëtarësimi i plotë.
WELT: Edhe sot, me 27 anëtarë, BE-ja e ka të vështirë të marrë vendime. Çfarë do të ndodhë nëse vazhdon të zgjerohet?
Rama: Sigurisht që do të ishte rrezik të pranoheshin vende të reja që mund të bllokojnë vendimmarrjen. Në çdo rast, unë do të angazhohesha për heqjen e të drejtës së vetos. Nëse Evropa duhet të konkurrojë me Kinën, SHBA-në dhe Indinë, është absurde që një anëtar të mund të bllokojë gjithçka.
- “Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit”/ Arrestimi i Vlora Hysenit dhe roli i SPAK, Rama për median gjermane: Që nga 1912, asnjë ministër… - 02/10/2026
- E bujshme/ Manchester City u shpall fajtor, Federata Angleze paralajmëron: Do të ndërmarrim masa ndaj klubit - 02/10/2026
- “Merz dhe Europa duhet të rigjejnë guximin e Helmut Kohl”/ Anëtarësimi në BE, Rama: Shikoni Ukrainën, ajo që po i premtohet është gënjeshtër - 02/10/2026