26.6 C
Tirana
16 / 09 / 2026

LIVE/ Pas gati 6 vitesh paraburgimi, nis seanca në Gjykatën Speciale të Hagës për vendimin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kosova pret lirimin

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallin sot (16 shtator) aktgjykimin e shkallës së parë për ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në procesin gjyqësor për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Seanca për shpalljen e vendimit nisi në orën 10:00 dhe vendimi do të bëhet i ditur veçmas për secilin prej katër të akuzuarve. Të gjithë i kanë mohuar akuzat.

Sheshi i Prishtinës është mbushur plotë me mbështetës e simbole kombëtare, teksa kërkohet lirimi. Edhe në Hagë janë mbledhur mijëra shqiptarë para Gjykatës.

Procesi gjyqësor në Hagë ka zgjatur më shumë se katër vite dhe ka përfshirë dëshmitë e mbi 100 personave nga ana e Prokurorisë, ndërsa mbrojtja ka paraqitur dëshmitarë dhe argumente në kundërshtim me akuzat dhe pretendimet për përgjegjësinë e të pandehurve.

Prokuroria ka kërkuar dënime me burgim për katër ish-krerët e UÇK-së, ndërsa mbrojtja ka kërkuar rrëzimin e akuzave.

Në Kosovë, shpallja e aktgjykimit është pritur me aktivitete publike në mbështetje të të akuzuarve, përfshirë “Marshin për Liri” në Prishtinë. Edhe në Hagë janë mbledhur mbështetës, ndërsa autoritetet holandeze kanë shtuar masat e sigurisë pranë objektit të Dhomave të Specializuara.

Aktgjykimi i shkallës së parë nuk e mbyll domosdoshmërisht procesin. Prokuroria dhe mbrojtja kanë të drejtë të apelojnë vendimin, sipas procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

LINKU këtu (VIDEO)

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x