Lajmet që kanë qarkulluar në media për largimin e disa punonjësve nga puna ka shkaktuar debat në komisionin e Ligjeve. Sipas PD-së, në këtë institucion kanë ndodhur shkarkime masive pas ndërrimit të Presidencës, ndërkohë që ky institucion tha se lëvizjet janë bërë për shkak të ristrukturimit.
Debati
Alibeaj: Shkarkimet masive nëse kanë ndodhur, a do të sjellë impakt te buxheti. Se nëse ata shkojnë në gjykatë dhe fitojnë gjyqet, marrin dëmshpërblim. Dëgjova që ju kërkoni edhe shtesë në personel.
Florian Kali (Presidenca): Ne kemi bërë një ristrukturim dhe kemi sjellë strukturën siç duhet pasi ishte në një piramidë jo të drejtë. Të gjithë personat që nuk plotësonin kriteret, janë larguar. Numrin total të përafërt nuk mund ta them. Nuk shohim ndonjë impakt gjatë gjatë viteve të ardhshme.
Gazment Bardhi: Pagat duhet të rriten për të gjithë administratën publike, jo vetëm për Presidencën. Sa i përket investimeve nëse lidhen me sigurinë e Presidencës, duhet të vendosen në dispozicion. Sa i përket shtesës në strukturë, ndaj të njëjtin shqetësim për pushime masive nga puna në institucionin e Presidentit. Nuk e pranoj dot që punonjësit që janë marrë në punë, janë marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore. Pushimet nga puna të pamotivuara janë të dënueshme kudo që ndodhin. Nuk e pranojmë dot që Presidenca të bëjë pushime masive nga puna, vetëm se u ndërrua Presidenti i Republikës. Punonjësit duhet të kenë qëndrueshmëri në punë. Ju strukturën bëjeni siç iu përshtatet më shumë, por respektoni ligjin për nëpunësit civilë.
Bushka: Qëndrueshmëria e administratës është parim që garantohet. Ajo që ju thoni është sikur është kështu që thoni ju. Ristrukturimi i institucioneve është e drejtë e vetë institucionit. Kur flasim për çështje së pari duhet të jemi korrekt. Ne nuk bëjmë dot gjykatën është bërë gabim apo jo.
Bardhi: Ndodh për herë të parë që dalin në lajme për shkarkime masive nga puna në Presidencë. Është për herë të parë në historinë 30 vjeçare.
Bushka: Ne nuk mund të nisemi nga një lajm në media dhe të themi kështu është. Çdo institucion ka të drejtën e tij ta menaxhojë institucionin.
Bardhi: Unë po them është një shqetësim.
Bushka: Jam dakord që ka një shqetësim. Por që ti vëmë ne vulën që kjo që dëgjuam kështu është, kjo nuk është e qartë. Sekretari i përgjithshëm e shpjegoi.