27.5 C
Tirana
27 / 08 / 2026

“Të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës”, propozimi i Braçes: E bëri PD-ja! Pse ta mbledhim ende te karburanti?

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i ka bërë thirrje qeverisë që të heqë taksën e qarkullimit nga çmimi i karburanteve, duke argumentuar se një masë e tillë do të ndikonte në uljen e çmimit të naftës dhe në frenimin e presioneve inflacioniste.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Braçe thekson se rritja e çmimeve të hidrokarbureve ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në inflacion gjatë këtij viti. Sipas tij, rritja e qëndrueshme e të ardhurave publike krijon hapësirën për rishikimin e disa instrumenteve fiskale që ndikojnë në çmimet e konsumit.

“Tani është koha që këtë taksë ta heqim nga çmimi i karburanteve”, shprehet Braçe, duke argumentuar se masa do të sillte një ulje të drejtpërdrejtë të kostos për konsumatorët.

Braçe: Heqja e taksës do të luftonte kontrabandën

Deputeti socialist rendit edhe dy efekte të tjera që, sipas tij, do të sillte heqja e taksës së qarkullimit.

Së pari, ai argumenton se një çmim më i ulët i karburanteve do të ndikonte në luftën kundër kontrabandës, veçanërisht në zonat kufitare me Kosovën dhe brenda vendit.

Së dyti, Braçe thotë se masa do të kufizonte atë që e cilëson si “tregti abuzive kufitare”, ku qytetarë udhëtojnë drejt Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për të blerë karburant me çmime më të favorshme.

Në reagimin e tij, Braçe e lidh propozimin me të dhënat e fundit mbi të ardhurat publike, duke argumentuar se qëndrueshmëria fiskale i jep qeverisë mundësinë për të korrigjuar instrumente që kanë ndikim mbi çmimet.

“Duhet bërë tani!”, përfundon deputeti socialist, duke kërkuar që taksa e qarkullimit të hiqet nga çmimi i karburanteve.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x