33.5 C
Tirana
22 / 08 / 2026

Ngërçi në Kosovë, opozita i kërkon Kurtit konstituimin e Kuvendit/ Haradinaj propozon rikthimin e mandatit të Hashim Thaçit

Kanë kaluar më shumë se dy javë që prej përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e që nga ajo kohë vetëm një seancë është thirrur po procesi i funksionalizimit nuk ka përfunduar.

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë që kërkesa për më shume kohë e bërë nga kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti në mënyrë që të arrihet marrëveshje për presidentin është zvarritje e qëllimshme e propozoi që mandati i ndërprerë i ish-presidentit Hashim Thaçi si pasojë e gjykimit në Hagë, duhet të vazhdohet.

“Nëse don zgjidhje Kurti, pra regjimi i Kurtit, me të thënë të drejtën është nder i kësaj legjislature por edhe të çdo legjislature të ia vazhdojë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore”, u shpreh Haradinaj.

Të shtunën opozita ka vazhduar kërkimin e konstituimit të Kuvendit nga ulëset e rezervuara për deputetët.

Duke konsideruar që askush nuk është mbi kushtetutën, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive.

“Asnjë individ nuk është mbi kushtetutën. Asnjë parti nuk është mbi kushtetutën. Asnjë pushtet nuk është mbi republikën e Kosovës. Kjo është vija që duhet ta mbrojmë të gjithë”, tha Altin Krasniqi.

“Një mesazh i cili duhet të shkojë mu në veshin e atyre që sot nuk janë në vendin  e punës së tyre është se dobësimi dhe rrezikimi i shtetit nuk vjen vetëm nga keqqeverisja, por vjen duke shkelur mbi vendimin e sovranit”, tha Besnik Tahiri, deputet i Alenacës.

Për t’u konstituuar Kuvendi, duhet të zgjidhen kryetari dhe pesë nënkryetarët. Lëvizja Vetëvendosje e cila ka përgjegjësinë e propozimit të kryetarit të parlamentit nuk e ka bërë këtë duke thënë se i duhet më shumë kohë deri sa të arrijë marrëveshje për presidentin, për çka po negocion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x