Autoritetet greke vijojnë hetimet për të sqaruar shkaqet e përplasjes së helikopterëve “Bell” që po shuanin zjarret në Atikën Perëndimore.
Pas përplasjes viktima mbetën piloti danez dhe koordinatori i tij grek, ndërsa shpëtuan piloti britanik dhe koordinatori grek i helikopterit të dytë.
Vëllai i pilotit danez tregon historinë e 46-vjeçarit Rune Kindal, i cili u vra duke luftuar me zjarrin.
Tue Kindal, duke folur për dr.dk, kujton se si ai dhe vëllai i tij e dashuruan aviacionin që në fëmijëri, pasi babai i tyre i kishte çuar në bazën ajrore Tirstrup dhe në aeroportin e Brædstrup.
“Ai vendosi që kabina e pilotit do të ishte vendi i tij i punës”, thotë Tue, i cili është vetë pilot.
Fëmijët e familjes Kindal, që ka gjithsej tre vëllezër, janë pilotë të gjeneratës së tretë dhe fluturonin “që nga fëmijëria e hershme” së bashku me babain e tyre.
“Unë dhe vëllai im kemi fluturuar shumë dhe unë gjithashtu fluturoj”, shton Tue.
Si Tue ashtu edhe Rune filluan universitetin. Vëllai më i madh studioi për topograf, ndërsa Rune donte të bëhej inxhinier.
Qëllimi i vëllait të tretë, Kaare, ishte të bëhej topograf si babai i tyre.Por ndjenja e lirisë e tërhoqi Rune-n, i cili la universitetin për të ndjekur ëndrrën e tij dhe të bëhej pilot helikopteri.

Më pas u zhvendos në Vancouver, ku punoi në industrinë e drurit dhe të minierave, tregon Tue.
Rune kaloi 20 vitet e fundit të jetës së tij duke punuar si pilot helikopteri. Sipas vëllait të tij, ai ia kushtoi jetën misioneve të shuarjes së zjarreve.
Misionet e tij si pilot helikopteri ndryshuan gjatë karrierës.
Ai jetonte në Terrace të në ‘British Columbia’ në Kanada. Kishte punuar në heliskiing – aktivitet ku skiatorët transportohen me helikopter në majat e maleve për të skijuar jashtë pistave në borë të paprekur.
“Por e ndërpreu, sepse ishte e rrezikshme”, thotë Tue.
Në vend të kësaj, u orientua drejt zjarrfikjes, ku mund të alternonte një muaj punë me një muaj pushim.
“Në fakt, ai e konsideronte të sigurt fluturimin për shuarjen e zjarreve”, shprehet Tue.
Fatkeqësisht, rezultati ishte fatal, pasi dy helikopterët u përplasën dhe Rune humbi jetën së bashku me koordinatorin grek.
Tue kishte folur një ditë para aksidentit me vëllain e tij dhe ai i kishte dërguar një foto me helikopterin që do të fluturonte.
“Ishte shumë krenar që pilotonte këtë helikopter pak më të madh dhe pak më të fuqishëm”, thotë Tue Kindal.
Sipas vëllait të tij, Rune ishte një pilot helikopteri jashtëzakonisht i aftë dhe i respektuar. Ai përdori madje njohuritë e fituara gjatë studimeve si inxhinier për të shpikur metoda të reja të fluturimit me helikopter.
“Kur plotësoi 5 mijë orë fluturimi, mori një çmim nga autoriteti kanadez i aviacionit, që u jepet të gjithë atyre që kanë fluturuar 5 mijë orë me helikopter pa incidente. Këtë çmim ia dha nënës sonë. Ajo e ka vendosur në raftin mbi oxhak në shtëpinë tonë”, vazhdon Tue.

Familja është në kontakt me autoritetet daneze dhe greke për të rikthyer trupin e Rune-s.
Ai lë pas gruan me dy fëmijë të vegjël, të cilët ishin pjesë e rëndësishme e jetës së tij.
- Real Madrid shokon Arsenalin, i vendos çmim marramendës Vinicius Jr - 04/08/2026
- Anija indiane fundoset pranë brigjeve të Jemenit pasi u godit nga një raketë, shpëtohen mrekullisht 14 marinarë - 04/08/2026
- Qytetet tona nuk janë më në dorë të qytetarëve… Dy ngjarje, pak cinizëm dhe disa konkluzione - 04/08/2026