34.5 C
Tirana
02 / 08 / 2026

Libri nuk merr pushime

Intervistë me Arta Markun, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

Një periudhë pushimesh por nuk duket e tillë për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit…
E po, libri nuk merr pushime. Edhe kur jepen ato këshillat tip për përgatitjen e valixhes së udhëtimit për pushime, gjithnjë parashikohet të futet një libër. Gjithsesi, përtej humorit, vera ka qenë një periudhë intensive për QKLL. Korriku iu kushtua, veç të tjerash, dy prej projekteve të rëndësishme, tashmë tradicionale: Fondet e Krijimtarisë Letrare LIBRI PËR FËMIJË dhe AUTORËT E RINJ 2026.

Ku konsistojnë këta dy fonde, kujt i jepen, si funksionon procesi…?
E shpjegojnë edhe vetë togfjalëshat. LIBRI PËR FËMIJË ka në fokus krijimtarinë letrare që u drejtohet lexuesve të vegjël. Për autorin në këtë rast nuk ka kufizime. Mund të jetë dikush që shkruan një libër për fëmijë për herë të parë, mund të jetë një shkrimtar prej vitesh i afirmuar madje mund të jetë tashmë pjesë e historisë së letërsisë shqipe për fëmijë. Mund të shkruajë në prozë apo në vargje, mund të shkruajë përralla apo fabula, mund të shkruajë tregime apo roman.
Kurse fondi AUTORËT E RINJ, merr në konsideratë krijuesit nga 18-35 vjeç, me jo më shumë se dy libra të botuar.
Krijimet vijnë në formë dorëshkrimi dhe nga prurjet zgjidhen tre dorëshkrime fituese të cilat kanë fatin të shndërrohen në libra.

Pra, jeni duke thënë se përmes këtyre fondeve që ofron, QKLL mbështetet botimi i librave?
Pikërisht. Ky fond u krijon mundësinë autorëve që të komunikojnë me lexuesin që është, në fund të fundit, edhe arsyeja se pse shkruhet një libër. Asnjë shkrimtar nuk e shkruan librin për ta mbyllur pastaj në sirtar. Por ka një detaj që ia vlen të theksohet: ky fond ofrohet për botimin vetëm në rast se botuesi dhe autori kanë bërë paraprakisht një kontratë ku janë përcaktuar dhe pranuar, nga të dyja palët, kushtet mbi të drejtën e autorit dhe të shpërblimit mbi bazën e çmimit të kopertinës.

Thatë që te letërsia për fëmijë mund të konkurrojë një autor me librin e parë dhe një autor tashmë i njohur në këtë kategori letrare. A nuk mendoni se një emër i madh i bën hije një emri të panjohur? Ose një emër i vlerësuar nga kritika dhe lexuesi mund të ushtrojë qoftë edhe pavetëdijshëm një farë presioni te juria?
Në asnjërën nga garat nuk gjykohet mbi emrat. Sepse emrat nuk dihen. Në konkurset e këtij viti u përcaktua me rregollore se juria do t’i merrte dorëshkrimet të anonimizuara. Pra, pasi iu hoqën që të gjitha dorëshkrimeve të paraqitura: emri i autorit, titulli i librit dhe emri i shtëpisë botuese, ato u pajisën me një kod. Pra jurisë iu paraqitën disa tekste të cilat nuk mund të dihej kush i kishte shkruar. Siç e konstatova edhe nga komentet e anëtarëve të të dyja jurive, një zgjedhje e tillë u kishte krijuar atyre komoditet në punë.

Meqë jemi te juritë le te flasim pak për to.
Po, me shumë vlerësim madje, për punën e tyre. Flori Kasaj (kryetar), Rovena Rrozhani dhe Rudina Çupi (anëtare) ishte juria e Fondit të Krijimtarisë Letrare LIBRI PËR FËMIJË. E kam ndjekur nga afër punën e tyre dhe më ka impresionuar serioziteti dhe përkushtimi. Gjatë debateve të tyre pata mundësinë të marr vesh subjekte, personazhe, situata, ide të paraqitura të cilat ata herë i mbështesnin e herë i kundërshtonin.
Juria e Fondit të Krijimtarisë Letrare AUTORËT E RINJ kishte në përbërje Durim Taçin (kryetar) Dhurata Shehrin dhe Aida Baron (anëtare). Ato kishin arritur konkluzione mjaft interesante mbi shtigjet nëpër të cilat po ecën letërsia e autorëve të rinj, mbi prirjet e tyre, shijet e tyre, këndvështrimet e tyre, zgjedhjet e tyre e me radhë. Prsh, bashkë me Dhurata Shehrin kemi qenë anëtare të së njëjtës juri një vit më parë dhe na ra shumë në sy atëherë errësira, depresioni i paraqitur në ato faqe letërsie, cilësore gjithsesi. Kësaj here, sipas Dhurata Shehrit, njëherësh studiuese letërsie, errësira totale ishte shndërruar në humor të zi.
Pra, interesant procesi, interesante konkluzionet.

Çfarë rezultoi nga prurjet në të dyja këto fonde lidhur me letërsinë e sotme, qoftë atë për fëmijë, qoftë për autorët e rinj?
Po e nis nga sasia: prurjet ishin 18 aplikime për LIBRIN PËR FËMIJË dhe 16 nga AUTORËT E RINJ (duke llogaritur këtu dhe ato që u përjashtuan për mungesë dokumentacioni) . Më duken numra që dëshmojnë se letërsia është një pasion që nuk është braktisur. Te letërsia për fëmijë shkrimtarët e karrierës vazhdojnë ta mbajnë të pabrishtësuar atë fijen e komunikimit me brezin e fëmijëve të sotëm. Nga ana tjetër dëshmohet edhe vazhdimësia. Kurse autorët e rinj, nga konkluzionet dhe komentet e jurisë, u kuptua se janë premtures. Dy prej fituesve, siç e mora vesh ditën e shpalljes së tyre, u vlerësuan me dorëshkrimin e tyre të parë. Dhe kjo është e mrekullueshme.

Si e gjykoni rëndësinë e këtyre dy projekteve të QKLL?
Sipas meje rëndësia është e spikatur. LIBRI PËR FËMIJË u drejtohet lexuesve në zanafillë, në hapat e tyre të parë të formimit si lexues. Dhe nëse ka libra të mirë për ta, është një mundësi më shumë që tu ndizet zjarri i pasionit të leximit. Dhe kur them “libra të mirë” duhet të shtoj doemos edhe “të letërsisë shqipe” sepse ka vlerën e vet të padiskutueshme dhe të pashmangshme. AUTORËT E RINJ kanë të bëjnë me krijuesit në zanafillë, pra nënkuptohet të jenë ata që do të shkruajnë nesër historinë e letërsisë shqipe.
Në të dyja rastet, nuk janë përzgjedhur disa libra për tu botuar dhe kaq. Por janë mbjellë disa pemë të cilave nesër do tu vilen frytet.

Cilët ishin fituesit për te dyja rastet?

Te LIBRI PËR FËMIJË juria zgjodhi:
-Teuta Toskën me dorëshkrimin “Na quajnë motrat Qiriazi” – botimet Albas. (Interesant, në këtë rast, ishte fakti se kjo përzgjedhje përkoi me 135-vjetorin e “Shkollës së vashave”. Autorja ishte me librin e saj të parë për fëmijë.
-Adelina Mamaqi me dorëshkrimin “Tregimet e kalendarit” – botimet Univers.
-Xhahid Bushati me dorëshkrimin “Plaku me akullore” – botimet Mediaprint.
Te AUTORËT E RINJ juria zgjodhi:
-Florenc Zerellarin me dorëshkrimin “Duke pritur Margonë” – botimet Kandrra.
-Fatma Memallin, me dorëshkrimin “Rikrijimi” – botimet Toena.
-Enis Ismailin me dorëshkrimin “Rrëmujë”, botimet Dudaj. Dy të fundit ishin me dorëshkrimin e tyre të parë.

Cila është veprimtaria e radhës që pret të zhvillojë QKLL?
Do të jetë vetëm pak ditë më pas dhe ka të bëjë me fituesit e Fondit të Përkthimit FJALA SHQIPE NË GJUHË TË HUAJ. Nëse më lart vlerësova vijimësinë e letërsisë shqipe dhe lexuesin, në rastin e fondit të përkthimit vlerësohet kapërcimi i kufijve të letërsisë shqipe. Një shkrimtar, thashë pak më lart, shkruan që të komunikojë. Pra letërsia ka në thelb komunikimin. Komunikimi merr një kuptim të epërm nëse përhapet në terrene të gjera, nëse kapërcen kufij gjeografikë. Kjo ka vlerë për letërsinë vetë por sidomos për vendin të cilit i përket ajo letërsi.
Juria e Fondit të Përkthimit FJALA SHQIPE NË GJUHË TË HUAJ është në proces dhe fituesit është parashikuar të shpallen në datën 7 gusht, kur do të zbulohen jo vetëm autorët dhe titujt e librave por edhe gjuhët në të cilat do të botohen.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x