35.6 C
Tirana
01 / 08 / 2026

In Memoriam: FRAN VORFI – ZËRI I PAVDEKSHËMI KËNGËS SË BURRAVE TË MIRDITËS

Nga Luan Rama

Grupi i burrave të Ansamblit “Mirdita”, prej më shumë se gjysmë shekulli, është bërë një nga referencat më të spikatura identitare të kulturës mirditore – një lartësi përfaqësuese në mbarë hapësirën shqiptare, për cilësinë e veçantë të interpretimit, soliditetin në ruajtjen e veçantisë dhe të harmonisë vokale, larminë tematike dhe autenticitetin karakterial të këngëve.

Përmes këtyre burrave është përcjellë ndër ne jo vetëm kënga, por edhe kujtesa historike, krenaria dhe shpirti i Mirditës.

Kam pasur fatin t’i njoh personalisht të gjithë pjesëtarët e këtij grupi dhe, për disa vite, pasi ata u bënë edhe më të njohur gjerësisht në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, më 1978, me këngën “Xhamadani i trimërisë”, interpretuar me këngëtaren Mrikë Trumshi, pata edhe privilegjin të jem me ta dhe t’i prezantoja në shumë koncerte.

Aty kam ndjerë drejtpërdrejt nderimin, emocionin dhe dashurinë e veçantë me të cilat publiku e priste daljen e tyre në skenë.

Nuk kishte veprimtari kombëtare dhe koncerte të mëdha shtetërore ku Grupi i Burrave të Mirditës të mos ishte i pranishëm dhe të mos shoqërohej me duartrokitje gjatë interpretimit, duke u bërë edhe një pikë kulmore e çdo veprimtarie ku merrte pjesë.

Autoriteti i tyre skenik ishte i mahnitshëm, imponues dhe mbresëlënës. Por kjo forcë skenike nuk vinte vetëm nga prania e tyre, por nga një lidhje e thellë me këngën që interpretonin, me traditën që bartnin dhe me karakterin e trevës që përfaqësonin.

Për Grupin e Burrave të Mirditës, por edhe për vetë Ansamblin “Mirdita”, mund të flitet e të shkruhet shumë.

Dhe duhet bërë, më së pari, nga estetët, muzikologët, folkloristët, kritikët e artit, bashkëkohësit e tyre etj.

Çdo vlerësim i bërë për ta do të ishte i merituar.

Është edhe një detyrim ndaj historisë kulturore të Mirditës.

Siç është detyrim nderimi dhe mirënjohja për të gjithë ata që i dhanë Ansamblit “Mirdita” shpirtin, emrin, emocionin dhe jetën e tyre.

Unë, në këto radhë, dua të veçoj jo thjesht një emër ndër ta, por pikërisht solistin e parë, zërin e pavdekshëm të këngës së burrave të Mirditës, Fran Vorfin.

Sepse Fran Vorfi nuk ishte vetëm një zë i fuqishëm brenda grupit; zëri i tij ishte një bartës i karakterit mirditor.

Ai kishte peshë, seriozitet dhe një ngjyrim të veçantë, në përputhje të plotë me natyrën e këngës së burrave të kësaj treve.

Në të nuk dëgjohej vetëm forca vokale, por edhe një mënyrë e veçantë e të shprehurit të shpirtit të një tradite.

Në këngën e burrave roli i solistit është të udhëheqë frymën e të gjithë pjesëtarëve të grupit, të organizojë energjinë e tij dhe ta çojë këngën drejt një harmonie të natyrshme dhe organike mes zërit individual dhe atij kolektiv dhe jo të dalë mbi grupin për efekt i individual.

Këtë funksion Fran Vorfi e përmbushte me autoritet dhe me profesionalizëm.

Një nga veçoritë më të dallueshme të interpretimit të tij ishte qartësia e fjalës.

Në këngën epike shqiptare, sidomos, vargu nuk është vetëm pjesë e melodisë; ai mbart histori, kujtesë dhe emocion.

Mënyra se si Fran Vorfi e artikulonte fjalën i jepte këngës një fuqi të veçantë shprehëse dhe e bënte tekstin të mbërrinte te dëgjuesi me gjithë peshën e tij.

Dallimi mes një interpretuesi që vetëm këndon dhe një interpretuesi që e “mban” këngën qëndron te aftësia për ta kthyer vargun në përjetim.

Fran Vorfi nuk e recitonte këngën; ai e jetonte atë. Përmes zërit të tij, fjala merrte ndjenjë dhe kënga merrte karakter.

Mbi të gjitha, vlera e tij artistike lidhej me autenticitetin.

Zëri i Fran Vorfit nuk dukej si një interpretim i jashtëm i traditës. Ai buronte prej vetë mjedisit kulturor që përfaqësonte.

Ai ishte pjesë e natyrshme e asaj bote këngësh, ku ruheshin kujtesa, krenaria dhe identiteti i Mirditës.

Pikërisht për këtë arsye, emri i Fran Vorfit mbetet i lidhur jo vetëm me historinë e Ansamblit “Mirdita”, por edhe me një mënyrë të veçantë të të kënduarit, ku zëri individual bëhet bartës i kujtesës kolektive. Ai mbetet një nga interpretuesit që i dhanë formë dhe dinjitet këngës së burrave të Mirditës.

Fran Vorfi nuk ishte vetëm solisti i Grupit të Burrave të Ansamblit “Mirdita”. Ai ishte një personalitet artistik më i gjerë dhe me një njohje të thellë të vlerave të artit popullor.

Ai ishte një interpretues elegant, një vlerësues me sqimë i bukurisë artistike dhe i cilësisë së paraqitjes skenike.

Përveç zërit të tij karakteristik, Fran Vorfi ishte edhe instrumentist i talentuar.

Çiftelia në duart e tij nuk ishte vetëm instrumenti shoqërues i këngës, por një pjesë e pandarë e shprehjes artistike.

Unë e mbaj mend gjithashtu edhe si një valltar të mirë dhe një njohës kompetent të elementeve të shprehjes skenike.

Kënga, çiftelia dhe vallja, eleganca koreografike, dhuntitë aktoriale, teatri, filmi, humori i mençur e batuta e atypëratyshme, tek ai nuk ishin elemente të ndara, por pjesë e një formimi të plotë artistik.

Për brezat më të rinj ai ishte një mësues në kuptimin më të mirë të fjalës: jo vetëm përmes këshillave dhe përvojës së tij, por përmes shembullit personal, përkushtimit dhe respektit që tregonte ndaj kulturës së vendit të vet.

Sot, kur koha ka vendosur distancën e saj mbi vitet e aktivitetit artistik, Fran Vorfi vazhdon të mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës kulturore.

Jo vetëm si zëri i një solisti të shquar, por si zëri i një epoke, i një tradite dhe i një mënyre të veçantë për ta dashur e për ta përcjellë këngën e burrave të Mirditës.

Kjo është arsyeja pse emri i Fran Vorfit nuk mbetet vetëm në historinë e Ansamblit “Mirdita”, por edhe në kujtesën e atyre që e panë, e dëgjuan dhe e përjetuan artin e tij.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x