Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, zhvilloi një takim me trupat inspektuese të qarkut të Gjirokastrës, ku bëri thirrje për rritjen e vëmendjes dhe forcimin e masave institucionale gjatë sezonit turistik. Sipas tij, prioritet mbetet garantimi i sigurisë ushqimore, mbrojtja e konsumatorit dhe respektimi i standardeve ligjore.
Duke e cilësuar Gjirokastrën si një destinacion elitar të turizmit shqiptar, Sula theksoi se rritja e fluksit të vizitorëve kërkon përgjegjshmëri më të lartë institucionale, bashkërendim ndërmjet strukturave dhe kontrolle të orientuara drejt parandalimit të rreziqeve.
“Gjirokastra është një nga destinacionet elitare të turizmit shqiptar dhe rritja e numrit të vizitorëve kërkon përgjegjshmëri më të lartë institucionale. Është e domosdoshme që strukturat inspektuese të bashkërendojnë punën e tyre dhe kontrollet të orientohen drejt parandalimit të rreziqeve, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe respektimin e standardeve ligjore“, u shpreh Sula.
Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua kontrolleve në pikat doganore për hyrjen dhe tregtimin e kafshëve të gjalla, procesit të prodhimit dhe tregtimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, si dhe zbatimit të standardeve të kategorizimit në përputhje me praktikat e Bashkimit Evropian.
Në fokus ishte edhe forcimi i masave për mbrojtjen nga zjarri, duke marrë në konsideratë vlerat historike dhe kulturore të Gjirokastrës, qytet i përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
“Respektimi rigoroz i standardeve të sigurisë nga zjarri në subjektet tregtare, strukturat akomoduese dhe objektet me interes turistik është një domosdoshmëri. Bashkëpunimi i vazhdueshëm me strukturat e emergjencave civile dhe pushtetin vendor është thelbësor për parandalimin e rreziqeve dhe mbrojtjen e pasurisë historike e kulturore të qytetit,” deklaroi Inspektori i Përgjithshëm.
Sula u ndal edhe te rëndësia e mbrojtjes së mjedisit, duke kërkuar nga subjektet tregtare dhe turistike respektimin e standardeve mjedisore në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua modernizimit të sistemit të inspektimeve. Ai bëri të ditur se, nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama, ka nisur një proces për pajisjen e të gjithë inspektorëve në vend me kamera trupore inteligjente të integruara me inteligjencë artificiale.
“Brenda një periudhe tetëmujore parashikohet që të gjithë inspektorët në Republikën e Shqipërisë të pajisen me kamera trupore inteligjente, të integruara me teknologjinë e inteligjencës artificiale. Kjo teknologji do të rrisë transparencën gjatë inspektimeve, do të forcojë përgjegjshmërinë e trupave inspektuese, do të ndihmojë në parandalimin e abuzimeve dhe do të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe subjekteve, duke rritur njëkohësisht cilësinë dhe efektivitetin e kontrolleve në terren,” tha Sula.
Sipas tij, digjitalizimi i sistemit të inspektimeve mbetet një tjetër prioritet, pasi do të mundësojë standardizimin e procedurave, gjurmueshmërinë e veprimeve inspektuese dhe komunikimin më të shpejtë ndërmjet institucioneve, qytetarëve dhe bizneseve.
- “Protestat kanë kaluar në anarki”, analisti: Opozita është më larg pushtetit se kurrë! - 21/07/2026
- Nisin punimet për 223 apartamente të reja në Kombinat, Koçiu: Do t’u shpërndahen familjeve përfituese - 21/07/2026
- Banori që humbi ndërtimin në Theth përfiton nga Paketa e Maleve, Rama: Do të të mbështesim të bësh diçka fantastike - 21/07/2026