25.2 C
Tirana
21 / 07 / 2026

Zbrazja e Kosovës: problemi që politika vazhdon ta injorojë

Nga  Avni Selmani

Gjatë historisë, shqiptarët kanë qenë të detyruar të largohen nga trojet e tyre për shkak të pushtimeve, përndjekjeve politike, luftërave dhe dhunës. Emigrimi ishte pasojë e mungesës së lirisë dhe e pamundësisë për të jetuar në vendin e vet.
Sot, pas më shumë se 27 vitesh liri, me shtetin dhe institucionet tona, Kosova vazhdon të zbrazet. Dikur njerëzit largoheshin sepse nuk kishin shtet. Sot po largohen sepse shteti që kanë nuk po u ofron kushte për të jetuar dhe për ta planifikuar të ardhmen në të.
Ajo që është edhe më shqetësuese është se zbrazja e Kosovës as që është temë dhe as shqetësim serioz i klasës politike, pa dallim partie. Politika merret me pushtetin, postet, emërimet, bllokadat dhe konfliktet partiake, ndërsa vendi humb njerëzit e vet. Për partitë, kontrolli mbi institucionet duket më i rëndësishëm sesa e ardhmja e qytetarëve.
Kosova është ndër vendet me shkallën më të lartë të emigrimit në botë. Sipas Bankës Botërore, pothuajse një në tre persona të lindur në Kosovë jeton jashtë vendit. Megjithatë, ky realitet vazhdon të trajtohet si një problem dytësor.
Qytetarët nuk shohin një program të mirëfilltë ekonomik që t’u japë besim se pas disa vitesh do të ketë zhvillim dhe perspektivë. Kosova vazhdon të mbijetojë nga një buxhet në tjetrin, pa ekonomi prodhuese, pa industri serioze dhe pa shfrytëzim të mirëfilltë të resurseve natyrore për të cilat njihet. Qeveritë flasin për rritje ekonomike, ndërsa vendi mbetet i varur nga importi, remitancat dhe konsumi.
Qytetarët kërkojnë siguri ekonomike, sigurim shëndetësor, arsim cilësor, institucione funksionale dhe mundësi që puna e tyre të vlerësohet. Por në një sistem ku punësimi dhe avancimi shpesh varen nga partia, familja, lidhjet dhe njohjet, aftësia dhe puna humbin vlerën. Kur merita nuk shpërblehet, largimi bëhet zgjidhje.
Po largohen edhe njerëz që kanë punë, sepse nuk besojnë se gjendja do të ndryshojë.
Ndërkohë, klasa politike vazhdon të flasë për fitore, suksese dhe patriotizëm. Por qytetari nuk jeton nga fjalimet. Ai nuk ushqehet me premtime, nuk shërohet me deklarata dhe nuk ndërton të ardhmen me statistika të zgjedhura për propagandë.
Partitë janë ndërruar në pushtet, por modeli ka mbetur pothuajse i njëjtë. Secila qeveri ka premtuar zhvillim, drejtësi dhe punësim.
Kjo nuk është vetëm zgjedhje personale. Është dështim politik dhe shtetëror.
Pasojat do të jenë të rënda: mungesë e fuqisë punëtore, plakje e popullsisë, dobësim i sistemit pensional, mungesë profesionistësh dhe zona të tëra pa jetë ekonomike. Një shtet që humb vazhdimisht të rinjtë humb edhe mundësinë për t’u zhvilluar.
Kosova po zbrazet sepse politika nuk ka ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe prodhuese, nuk ka krijuar institucione të besueshme dhe nuk u ka dhënë qytetarëve arsye të mjaftueshme për të qëndruar.
Prandaj, pyetja nuk është pse po largohen. Arsyet janë të qarta.
Pyetja është: sa njerëz duhet të largohen që klasa politike ta pranojë se ka dështuar?

Artikujt më të kërkuar

3
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x