31.6 C
Tirana
13 / 07 / 2026

(Pa)Mundësia si alternativë politike…

Nga Ylli Manjani

Agron Shehaj ishte një mundësi e mirë për të koaguluar të djathtën shqiptare rreth një ideje të qartë politike. Vijoj të mendoj se Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë nevojë për një të djathtë të vërtetë: të pronës private, të ekonomisë së lirë e konkurruese, të shtetit të së drejtës dhe të dinjitetit njerëzor.

Këtë alternativë politike, në të vërtetë, Shqipëria nuk e pati kurrë. Kjo shpjegon edhe konfuzionin e vazhdueshëm me pronën, me liritë dhe të drejtat, me shtetin, me drejtësinë dhe me ekonominë kaotike që shohim e përjetojmë çdo ditë.

Kur doli “Mundësia” e Agron Shehajt si alternativë politike, pata njëfarë shprese, ndonëse të vakët, se më në fund mund të lindte një e djathtë reale. PD nuk ka qenë kurrë një parti e djathtë në kuptimin ideologjik të fjalës. Kështu që “Mundësia” mund të ishte, vërtet, një mundësi për të djathtën shqiptare.

Madje mendoja se një biznesmen në krye të një force politike do të ishte garanci shtesë që parimet e sipërmarrjes, konkurrencës dhe zhvillimit ekonomik do të mbroheshin me bindje.

Por ndodhi krejt e kundërta.

Biznesmeni me mandat deputeti ka zgjedhur deri më sot rolin e llaxhores populiste antikapitaliste. Nga goja e “Mundësisë” kemi dëgjuar më shumë thirrje kundër biznesit dhe zhvillimit sesa ide për t’i nxitur ato. Më shumë mllef se program. Më shumë populizëm se parime. Më shumë britma se argumente.

Deklarime që ngjajnë me debatet e pllakave të lagjes, kur shajnë njëra-tjetrën për moral, sesa me një forcë politike që pretendon të ndërtojë një model të ri ekonomik.

Zhgënjim i plotë.

Edhe më i madh u bë zhgënjimi kur Shehaj dhe “Mundësia” u rreshtuan në pararojën e revolucionarizmit ekstrem të majtë. Në vend që të mbronin sipërmarrjen, pronën dhe suksesin individual, zgjodhën të bashkohen me korin që demonizon pasurinë dhe glorifikon ndëshkimin e atyre që kanë krijuar diçka.

Kështu, “Mundësia” u shndërrua në Pamundësi.

Thirrjet kundër bizneseve, entuziazmi për të parë njerëz të pasur të tërhiqen zvarrë dhe retorika e urrejtjes ndaj kapitalit nuk janë të djathta. Janë reflekse të një mendësie neokomuniste, që kërkon revolucion me paratë e baballarëve, tamam si kopjet më të shëmtuara të Karl Marksit.

Komunistët kanë qenë gjithmonë kështu. Kërkojnë konfiskimin e pronës së të tjerëve, por jo të tyren. Denoncojnë korrupsionin e të tjerëve, por jo privilegjet korruptive të veta. Predikojnë barazinë, por vetëm derisa të vijë radha e tyre për të hequr dorë nga ajo që kanë.

Kulmi i groteskut ishte thirrja drejtuar Kanye West që të anulonte koncertin. Një parti që pretendon të përfaqësojë lirinë e tregut dhe lirinë individuale, por që u bën thirrje artistëve të mos performojnë, është një paradoks komik. Aq komik, sa mbetet vetëm të qeshësh.

Komedia vazhdon. Kryetari i një partie me dy deputetë e ka shpallur veten kandidat për kryeministër. Nuk lë reels pa e thënë këtë gjë. Njësoj si Jovan Bregu që ëndërronte të bëhej drejtor magazine pa pasur magazinë. Madje, Jovan Bregu ishte më realist.  Edhe Pilinçi është edhe më lart në hierarki: ai të paktën është vetëshpallur kryeministër, jo kandidat.  ????

Këtu kemi një kandidat për një garë që ekziston vetëm në imagjinatën e tij. Ky është, ndoshta, përkufizimi më i mirë i Pamundësisë.

Në fund, arritja më e madhe e “Mundësisë” ishte se provoi se nuk ishte fare një mundësi.

Ishte thjesht një Pamundësi tjetër për ta bërë Shqipërinë me një të djathtë të vërtetë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x