Nga Albert Vataj
Kur fishekzjarret në pasmesnatën e mbrëmshme shpërthyen në periferi të Tiranës për të kurorëzuar mbretëreshën e supërsfidës “Ferma VIP 3”, Mimoza Ahmetin, dielli kishte lindur tashmë. Ai ishte më i fuqishëm se çdo thirrje në delir, më i nxehtë se çdo zjarr gëzimi dhe më ndritës se çdo dritë që vetëtin në një çast për të lajmëruar triumfin.
Fitorja e Mimoza Ahmetit nuk është lajm. Ajo ishte e paralajmëruar që në ditët e para të këtij rrugëtimi, kur publiku nisi të përballej jo me personazhin, por me njeriun. Jo me maskën, mashtrimin apo fasadën, por me të vërtetën. Dhe e vërteta, siç thoshte Fridrih Niçe, “i përket atyre që kanë guximin ta përballojnë”. Mimoza Ahmeti bëri pikërisht këtë: guxoi të ishte vetvetja në një kohë kur shumica përpiqet të jetë ajo që të tjerët presin prej tyre.
Në 82 ditë përballjeje “titanësh”, Mimoza Ahmeti solli në “Ferma VIP 3” shumë më tepër sesa argëtim, emocione, spektakël dhe meme që do të mbeten gjatë në kujtesë. Ajo shënjoi gruan në një erë të re dhe e bëri këtë përmes një eksperimenti social.
Ajo solli diçka që rrallë e shohim të shkrirë në një në ekran: mendim, performancë dhe filozofi jete. Solli veten e saj të çliruar nga gjithë pendimet, vargonjtë moralë, tradicionalë, konvencionalë dhe shoqërorë. Solli një model të rrallë të gruas që nuk kërkon leje për të ekzistuar; një grua që nuk negocion me autenticitetin e saj.
Në një shoqëri ku gruaja ende gjykohet më shumë për mënyrën si jeton sesa për atë që mendon, prania e Mimozës u shndërrua në një akt rezistence. Ajo na kujtoi atë që Simone de Beauvoir shkruante dekada më parë: “Grua nuk lind, por bëhesh.” Dhe bëhesh përmes betejës së përditshme për të fituar të drejtën e të qenit vetvetja.
Me mënyrën e saj të drejtpërdrejtë, të lirë dhe pa filtra, ashtu siç është në përditshmërinë e saj, ajo na kujtoi disa të vërteta që shpesh i humbasim mes zhurmës së përditshme apo frikës për t’i thënë gjërat në sy. Sepse gruaja shqiptare në veçanti, dhe individi në përgjithësi, shpesh gjendet nën trysninë e pamundësisë për të qenë i vërtetë, nga frika e paragjykimeve, keqkuptimeve dhe mospranimit.
Mimoza erdhi për të na kujtuar atë që Soren Kierkegaard e quante “guximi për të qenë vetvetja”. Sepse humbja më e madhe nuk është të mos pranohesh nga të tjerët; është të humbasësh veten për t’u pranuar prej tyre.
Ajo na kujtoi gjithashtu se dashuria për veten nuk është egoizëm, por kushti i parë i lirisë. Oscar Wilde thoshte se “ta duash veten është fillimi i një romance që zgjat gjithë jetën”. Dhe Mimoza Ahmeti, në çdo ditë të qëndrimit të saj në fermë, dukej sikur i rikujtonte publikut këtë të vërtetë të thjeshtë e të vështirë njëkohësisht: askush nuk do ta jetojë jetën tonë në vendin tonë, prandaj askush nuk duhet të ketë të drejtën ta përcaktojë atë.
Moza erdhi gjithashtu për të thënë disa të vërteta, ndër to se jeta nuk matet me vitet që kalojnë, por me mënyrën se si e jetojmë çdo ditë; se si e përfshijmë veten dhe qenien tonë me gjithë praninë, fuqinë dhe energjinë për ta jetuar çastin si një përjetësi. Mimoza Ahmeti tregoi në gjithë rrugëtimin e saj se nuk duhet të lejojmë komplekset, frikërat apo gjykimet e të tjerëve të na kufizojnë lumturinë, dhe se duhet të luftojmë për atë që besojmë se jemi dhe duam.
Në një kohë kur shumë njerëz përpiqen të përshtaten dhe kur ekziston një uniformizim i asaj që jemi, që mendojmë, që veshim, që hamë dhe që bëjmë, Mimoza zgjodhi të mbetet vetvetja. Ajo dëshmoi me të madhe se: “Po, ti mundesh! Po, edhe ti grua, mundesh! Dhe mos prit që dikush të ketë mirësinë të ta ofrojë këtë liri; duhet të luftosh për ta merituar e për ta marrë, sepse të takon.”
Dhe pikërisht aty qëndron forca e saj më e madhe, ajo që e shndërroi në një fenomen, që e solli në sytë e të gjithëve si një zbulim, si gruan që nuk e njihnim, por që është grua në gjithë qenien dhe vërtetësinë e saj, me të gjitha të mirat dhe të këqijat. Sepse liria e vërtetë nuk është të të duan të gjithë, por të jesh në paqe me atë që je, sepse ti je ajo që zgjedh vetë të jesh.
Moza përballoi sfida, paragjykime, përbaltje e poshtërime, gjithçka që gara dhe beteja për çmimin e madh lejon në një botë konkurrence. U përball me të gjitha si një luftëtare e dinjitetshme; me kundërshtime, debate dhe sulme, por nuk hoqi dorë nga vetja. Edhe me gabimet e saj, mbeti autentike. Dhe ndoshta pikërisht kjo bëri që publiku ta kuptonte, ta donte dhe të magjepsej pas saj.
Sepse njerëzit mund të harrojnë shumë gjëra, por kurrë nuk harrojnë dikë që pati guximin të jetë vetvetja, kur të tjerët kishin frikë.
Në shumë momente, ajo duhej sikur po mbronte jo vetëm veten, por të gjitha ato gra që për vite kanë heshtur nga frika e gjykimit. Të gjitha ato gra që kanë fshehur ëndrrat, dëshirat, mendimet apo individualitetin e tyre për të mos shqetësuar rendin e zakonshëm të gjërave.
In këtë kuptim, Mimoza Ahmeti nuk fitoi thjesht një çmim; ajo fitoi një simbolikë. U bë dëshmi se gruaja shqiptare mund të jetë e lirë pa kërkuar falje për këtë. Mund të jetë inteligjente pa u justifikuar. Mund të jetë e fortë pa hequr dorë nga ndjeshmëria. Mund të jetë ndryshe pa u ndier fajtore.
Albert Camus shkruante se “njeriu i lirë është ai që nuk gënjen”. Dhe ndoshta ky ishte sekreti i magnetizmit të saj. Edhe kur gabonte, ajo nuk fshihej pas roleve. Edhe kur rrëzohej, nuk hiqej si e pagabueshme. Ajo mbeti autentike. Në një epokë ku autenticiteti është bërë mall i rrallë, kjo u kthye në forcën e saj më të madhe.
Sepse publiku mund të falë gabime, por nuk fal shtirjen. Publiku mund të kundërshtojë mendime, por nuk harron kurrë sinqeritetin. Dhe sinqeriteti i saj, herë i ashpër, herë provokues, herë i çuditshëm, por gjithmonë i vërtetë, krijoi një lidhjen të veçantë me njerëzit.
Në një kohë uniformizimi, kur algoritmet na sugjerojnë çfarë të mendojmë, çfarë të veshim, çfarë të duam e madje çfarë të ëndërrojmë, Mimoza Ahmeti zgjodhi rrugën më të vështirë: të mbetet vetvetja.
Kjo është arsyeja pse fitorja e saj tejkalon kufijtë e një formati televiziv. Ajo u shndërrua në një metaforë të fitores së individit mbi frikën, të gruas mbi paragjykimin, të autenticitetit mbi maskën.
Dhe në fund, ndoshta nuk do të kujtohen të gjitha debatet, polemikat apo episodet e kësaj aventure, por do të kujtohet një grua që pati guximin të jetonte sipas së vërtetës së saj.
Sepse, siç shkruante Ralph Waldo Emerson, “të jesh vetvetja në një botë që përpiqet vazhdimisht të të bëjë dikë tjetër, është arritja më e madhe”. Dhe pikërisht këtë arritje Mimoza Ahmeti e ktheu në fitore.
Maya Angelou ka thënë: “Njerëzit do të harrojnë çfarë ke thënë, do të harrojnë çfarë ke bërë, por kurrë nuk do të harrojnë se si i ke bërë të ndihen.”
Dhe Mimoza Ahmeti i bëri njerëzit të ndihen të guximshëm për të qenë vetvetja, në një botë ku të tjerët ende kanë frikë.
Albert Vataj