Ishte si një lojë shahu ajo që presidenti amerikan Donald Trump “luajti” me homologun e tij kinez Xi Jinping në orët e fundit. Thelbi i diskutimeve në tryezë ishin të qarta: Tajvani, tarifat tregtare, rihapja e Ngushticës së Hormuzit, metalet e rralla dhe gjysmëpërçuesit.
Dueli, sipas vlerësimeve që ka bërë agjencia italiane “Adnkronos”, ka përfunduar në barazim, pavarësisht se Pekini hyri në këto bisedime nga një pozicion më i fortë, i mbështetur nga rritja e eksporteve. Kinës nuk i intereson një regjim ushtarak në Hormuz, ndërkohë, Trump kërkon mbi të gjitha stabilitet ekonomik, më shumë sesa një rikthim të plotë në një politikë të ashpër ndërkombëtare.
Nuk ishte rastësi që presidenti amerikan mbërriti në Pekin i shoqëruar nga 17 drejtues të rëndësishëm biznesi. Ky ishte një sinjal i qartë se pas fazës së presionit tarifor, tani po provohet një qasje më e butë diplomatike për të kërkuar zgjidhje.
Dy sfidat më urgjente mbeten inflacioni dhe situata në Ngushticën e Hormuzit. Sipas analistëve, ndikimi ekonomik tashmë po ndihet.
Të dhënat e fundit të inflacionit në SHBA, që kanë arritur rreth 3.8% dhe tregojnë se kriza e energjisë po depërton në zinxhirët e prodhimit.
Nga ana tjetër, ashtu siç Irani përdor naftën si instrument presioni, Kina ka në dispozicion metalet e rralla dhe Tajvanin si leva strategjike. Në qendër të kësaj loje qëndron “TSMC”, gjiganti tajvanez i gjysmëpërçuesve dhe furnizuesi kryesor i botës për industrinë e teknologjisë.
Sipas ekspertëve, një ndërprerje e prodhimit të tij do të kishte pasoja më të rënda se çdo krizë energjetike. “Do të paralizonte industrinë e inteligjencës artificiale, duke nënvizuar varësinë globale nga çipat elektronikë.
Megjithatë, Kina u tregua më shumë e kujdesshme sesa agresive në përdorimin e këtyre burimeve. Pekini u druhet shumë tarifave të larta amerikane, ndaj edhe metalet e rralla konsiderohen më tepër si mjet mbrojtës sesa armë e drejtpërdrejtë presioni.
Ndërkohë, në horizont qëndrojnë edhe zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA në nëntor. Mbështetja për Trump ka rënë në rreth 36%, një nga nivelet më të ulëta të mandatit të tij. Rënia është më e dukshme te votuesit e pavarur.
Analistët theksojnë se presidenti amerikan ka nevojë për një rezultat të prekshëm ekonomik përpara zgjedhjeve.
Përfundimi? Trump kthehet nga kjo fazë negociatash me Kinën pa një triumf të qartë. Nëse “karrota” diplomatike nuk sjell shpejt rezultate konkrete, sidomos për Hormuzin dhe sektorin e gjysmëpërçuesve, SHBA rrezikon të hyjë në një periudhë zgjedhore të tensionuar në nëntor, me ekonomi nën presion dhe mbështetje politike në rënie.
- Trump-Xi përfundon “barazim”, analizat e para pas takimit, pse gjeopolitikisht askush nuk doli fitimtar - 14/05/2026
- Presidenti Begaj përshëndet rezolutën e integrimit: Qasje e vetme e drejtë për BE - 14/05/2026
- Hoxha pas miratimit të rezolutës për BE: Integrimi europian është objektiv kombëtar që bashkon shqiptarët përtej politikës - 14/05/2026