11.5 C
Tirana
01 / 05 / 2026

Në garë me ish-profesorin e saj, flet Mereme Sela: Berishën s’do ta bëj as ministër kur ta rrëzoj Ramën! Duhen djem të rinj

Mereme Sela, rivalja zyrtare e Sali Berishës në garën për kryetar të Partisë Demokratike, deklaroi në një intervistë për Report TV se kandidimi i saj synon të sjellë një figurë të re dhe përbashkuese në krye të opozitës.

Ajo tha se vendosi të hyjë në garë sapo u njoh me kriteret dhe përgatiti menjëherë dokumentet për kandidim.

“Unë jam e përkushtuar për shëndetin publik dhe për popullin, jo nga aspekti politik. Për mua është nder kandidimi kur kandidon profesori me studentin. Dje e mora vesh për kriteret dhe i bëra gati dokumentet,” u shpreh Sela.

Duke komentuar garën për drejtimin e PD-së, ajo tha se nuk e sheh këtë proces si një përplasje personale.

“Unë jam njeri i paqtë; luftën e ka bërë Skënderbeu, unë s’jam për luftë. Nëse ata votojnë Berishën, unë do t’i jap dorën doktorit dhe do t’i them faleminderit,” deklaroi ajo.

Sela theksoi gjithashtu se kandidimi i saj është një zgjedhje personale dhe jo rezultat i ndikimeve politike.

“Ta heqin nga mendja: unë vij nga një familje e madhe, jam lindur e rritur në Fushë-Krujë dhe s’më përdor njeri. Kam idetë e mia dhe vlerat e mia. Mendoj që duhet një figurë e re, përbashkuese, ndaj po kandidoj.”

Ajo shtoi se nëse zgjidhet në krye të Partisë Demokratike, synon të jetë edhe kandidate për kryeministre në zgjedhjet e ardhshme.

“Nëse do të jem kryetare e PD-së, do të jem edhe kandidate për kryeministre. Berishën nuk do ta bëj ministër, sepse duhen djem të rinj,” u shpreh Mereme Sela.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x