16.5 C
Tirana
23 / 04 / 2026

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit

Nëse keni ndier ndonjëherë nevojën t’i detyroheni një fuqie të epërme për gjithçka që ka pllenuar mendjen tuaj, për çka ka qëndisur me bukuri dhe hir shpirtin tuaj, duke mbështjellë me një dritë metafizike aktin tuaj sublim të të qenit një mrekulli e Krijuesit, më lejoni t’ia kërkoj mirësisë suaj dhe asaj përkorjeje që ju fisnikëron, t’ia dedikoni këtë mirënjohje… Librit.

Ai nuk përmbledh tërësinë e qenies sonë, por çdo grimcë drite dhe mirësie që mbartim brenda vetes, i atribuohet atij. Çdo virtyt që na bën të ndihemi krenarë, çdo lartësi mendimi e çdo gjerësi horizonti, është një hua e vyer që kemi vjelë nga faqet e tij.

Libri nuk rreshtohet mes atyre krijimeve të rëndomta që synojnë t’ju shndërrojnë në “vrasës të kohës”. Përkundrazi, ai ju fton të bëheni magjepsës të saj. Si një mrekulli e heshtur, ai nuk premton të kryejë mrekulli të bujshme, por në heshtjen e tij mistike, faqe pas faqeje e kapitull pas kapitulli, ai ju prek me një magji transformuese. Kjo magji bën që realiteti rreth jush të vishet me një rrezellitje dehëse, ku e përditshmja shkrihet me hyjnoren dhe çdo çast jetësor ngjason me një ëndërr, me të cilën jeni shpërblyer bujarisht.

Duke udhëtuar përmes thyerjeve të dimensioneve kohore, duke kaluar mbi shpirtrat e mëdhenj dhe ligjërimet e hyjshme të njerëzimit, libri ka mbërritur në vatrën e ëndjes sonë për ta shndërruar atë në një altar të përjetshëm.

Ai ka zgjuar nga skutat më të thella të vullnetit dhe vetëdijes sonë atë instinkt lartësues, atë gjunjëzim të shenjtë të besimit para dritës së pakufishme të dijes.

Historia e tij është historia e vetë nevojës njerëzore për të mos u zhdukur. Edhe në mungesë të teknologjive, njeriu ka kërkuar gjithmonë mënyra për të fiksuar atë që përndryshe do të humbiste, ëndrrat, dëshirat, frikërat, kujtesën dhe pyetjet e mëdha ekzistenciale. Ai ka gdhendur në gur, ka shtypur në pllaka argjile, ka shkruar mbi lëkurë kafshësh, mbi papirus, mbi pergamenë, mbi dru dhe mbi çdo material që i ka ofruar natyra. Për t’i mbijetuar zhdukjes, libri ka ditur të transformohet, nga pllakat e argjilës te arkitekturat e padukshme të digjitalizimit. Pikërisht në këtë aftësi për të ndryshuar pa e humbur vetveten qëndron forca e tij, ai mbetet mjeti më i qëndrueshëm dhe dominues i transmetimit të dijes.

Albert Vataj

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x