Më 7 tetor, Kisha Katolike kremton me nderim të madh festën e Zojës Rruzare, një ndër uratat më të dashura e më të përhapura të devocionit të krishterë. Në këtë ditë, kujtesa shpirtërore e Nënës së Hyjit ndërthuret me kujtimin e një ngjarjeje të lavdishme historike, fitores së betejës së Lepantos, më 1571, kur koalicioni i popujve të krishterë, nën mbrojtjen e Zojës, fitoi mbi flotën osmane.
Kjo ngjarje, e përjetuar si një ndërhyrje hyjnore në mbrojtje të fesë, i dha jetë një feste falënderimi që Papa Shën Piu V e quajti fillimisht “Shën Maria e Fitores”, e cila më vonë u njoh nga mbarë Kisha si Festa e Zojës Rruzare.
Në Lepanto, në ujërat që ndajnë Gjirin e Patrasit dhe Korintit, anijet e krishtera të bashkuara nga Venediku, Spanja dhe Shteti Papnor, arritën një fitore të jashtëzakonshme ndaj flotës turke të Ali Pashës. Fitorja e 7 tetorit u përjetua jo vetëm si triumf ushtarak, por mbi të gjitha si fitore e besimit dhe e lutjes. Ndërsa betejat zhvilloheshin në det, në tokë, Kisha dhe populli i krishterë luteshin me Rruzaren Shenjte.
Kështu, festa e Zojës Rruzare, e themeluar nga Shën Piu V dhe e zgjeruar në gjithë Kishën më 1716, u bë simbol i besimit që fiton përmes lutjes, një shenjë e bashkimit ndërmjet njeriut dhe Hyjit, ndërmjet historisë dhe përjetësisë.
Rruzarja, Ungjilli në përsëritje, meditimi i Mistereve të Shëlbimit
Rruzarja Shenjte është një përmbledhje e Ungjillit, një udhëtim përmes mistereve të jetës, vuajtjes, lavdisë dhe dritës së Jezu Krishtit, të soditura në shoqërinë e Nënës së Tij, Marisë. Kjo uratë e lashtë, që i atribuohet Shën Domenikut Guzman në shekullin XIII, u bë një mënyrë e thjeshtë dhe e thellë për t’i ndihmuar të gjithë, të ditur e të përvuajtur, të qëndrojnë të bashkuar me Zotin përmes meditimit dhe përsëritjes së fjalëve të engjëllit: “Të falemi Mari…”
Papa Benedikti XVI e përshkroi Rruzaren si “një lutje kundruese që të mëdhenj e të vegjël, laikë e meshtarë mund t’i afrohen; një lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar me Jezusin”. Ai e quajti Rruzaren “armë shpirtërore në betejën kundër së keqes, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë”.
Në çdo dekadë të saj, Rruzarja bashkon ritmin e jetës njerëzore me misteret e Krishtit. Ajo është një libër i gjallë që secili mund ta “lexojë” me zemrën, me 20 faqe të shenjta që përmbledhin gjithë historinë e shëlbimit.
Urata e Pompeit, zëri i devocionit popullor
Ndër lutjet më prekëse që lidhen me këtë festë është Urata e Rruzares së Pompeit, hartuar më 1883 nga i Lumi Bartolomeo Longo, një avokat që pasi përjetoi një thirrje shpirtërore nga vetë Zoja, ia kushtoi jetën përhapjes së kësaj lutjeje. Në përfundim të saj, ai shkruan:
“O Rruzare e bekuar nga Shën Maria, zinxhir i ëmbël që na lidh me Zotin, vjegëz dashurie që na bashkon me Engjëjt, port i sigurt në stuhitë e jetës, ne nuk do të të lëshojmë kurrë nga duart.
Ti do të jesh ngushëllimi ynë në agoni, puthja e fundit e jetës që shuhet, fjala e fundit në buzët tona:
O Mbretëreshë e Rruzares së Pompeit, nëna jonë e dashur, strehë e mëkatarëve, sovrane e të hidhëruarve.
Qofsh e bekuar sot e përgjithmonë, në tokë e në qiell. Amen.”
Kjo uratë, e lindur nga shpirti i popullit, është një poemë e përshpirtshme që përfshin dhimbjen dhe shpresën e gjithë njerëzimit. Ajo është një jehonë e besimit të përvuajtur, një këngë dashurie ndaj Zojës që i udhëheq bijtë e saj drejt Krishtit.
Festa në kujtesën e popullit shqiptar
Në trojet shqiptare, devocioni ndaj Zojës Rruzare është i rrënjosur thellë. Kisha e Zojës Rruzare në Arra të Madhe, Shkodër, dhe ajo në Bishtazhin të Gjakovës janë dy vende të bekuara ku besimtarët mblidhen çdo tetor për ta falënderuar Zotin përmes ndërmjetësisë së Nënës së Tij. Nga këto shenjtërore ngrihet çdo vit një thirrje që tejkalon kufijtë:
Ta njohim, ta dëgjojmë dhe ta kumtojmë Krishtin në jetën e përditshme, në një shoqëri që shpesh largohet nga vlerat e vërteta shpirtërore të krishtera.
Lutja e Papës Françesku
Në këtë muaj tetor, të kushtuar Rruzares Shenjte, Papa Françesku u bën thirrje të gjithë besimtarëve që çdo ditë t’i drejtohen Zojës me këtë uratë:
Nën mbrojtjen tënde po ngasim,
o shenjta Nëna e Hyjit,
mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona,
por, o Virgjëra e lume dhe e bekuar,
na shpëto përherë
prej të gjithë rreziqesh,
Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona.
Me Birin tënd na pajto,
Birit tënd na porosit,
ndër duar të Birit tënd na lësho.
Amen.
Festa e Zojës Rruzare mbetet kujtesë e një fitores hyjnore dhe e një besimi që nuk shuhet. Ajo na mëson se në çdo kohë të historisë, kur zemra njerëzore rreh në ritmin e lutjes, atëherë edhe betejat më të vështira të jetës mund të kthehen në fitore shpirtërore.
- Gjenerata e re e Policisë, ministrja Koçiu: Ju mbani një uniformë të rëndë… - 13/10/2025
- Manastirliu me banorët e Tiranës: Më shumë hapësira publike për fëmijët e të moshuarit! - 13/10/2025
- Marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit, Macron konfirmon mbështetjen për një shtet të pavarur palestinez - 13/10/2025