14.4 C
Tirana
04 / 11 / 2026

𝐏𝐚𝐩𝐚 𝐩𝐫𝐞𝐭 𝐁𝐨𝐛 𝐃𝐲π₯𝐚𝐧 𝐧𝐞̈ π•πšπ­π’π€πšπ§

E pati cituar nΓ« korrik tΓ« vitit 2026, kur, duke shkruar parathΓ«nien e njΓ« libri tΓ« ShtΓ«pisΓ« Botuese tΓ« Vatikanit (LEV), me titull β€œE Γ§armatosur dhe Γ§armatosΓ«se. Paqja Γ«shtΓ« dhuratë”, pati pΓ«rdorur fjalΓ«t e njΓ« krijimi tΓ« tij poetik (drejtuar, nΓ« mΓ«nyrΓ« figurative, bombΓ«s atomike), pΓ«r njΓ« paralajmΓ«rim tΓ« rreptΓ« kundΓ«r riarmatimit global dhe makthit bΓ«rthamor: Β«TΓ« urrej, sepse tΓ« ka krijuar njeriu dhe njeriu tΓ« zotΓ«ron e njeriu tΓ« pΓ«rdorΒ».

Sot, Papa Leoni XIV e takoi personalisht, nΓ« Pallatin Apostolik tΓ« Vatikanit, Robert Allen Zimmerman, i njohur nΓ« art si Bob Dylan. Kantautori dhe poeti i njohur amerikan, 85 vjeΓ§, fitues i Γ‡mimit Nobel pΓ«r LetΓ«rsinΓ«, ndodhet nΓ« RomΓ«, ku nesΓ«r, tΓ« enjten mΓ« 5 nΓ«ntor, do tΓ« japΓ« njΓ« koncert nΓ« Pallatin e Sportit, nΓ« kuadΓ«r tΓ« etapΓ«s vjeshtore tΓ« turneut β€œRough and Rowdy Ways Tour”. Ky turne pΓ«rfshin etapa edhe nΓ« Milano e BolonjΓ«. GjatΓ« koncerteve Γ«shtΓ« e ndaluar tΓ« bΓ«hen video me celularΓ«.

Audienca ishte e shkurtΓ«r. Leoni XIV dhe Dylan shkΓ«mbyen pΓ«rshΓ«ndetje dhe disa fjalΓ«. Papa i dhuroi njΓ« rruzare, ndΓ«rsa kΓ«ngΓ«tari ia ktheu me njΓ« libΓ«r: Chronicles – Volume 1, autobiografia e tij, botuar nΓ« Shtetet e Bashkuara tΓ« AmerikΓ«s dhe nΓ« vende tΓ« tjera tΓ« botΓ«s.

CITIMI NΓ‹ LIBΓ‹R

Vargjet, qΓ« Papa i ka cituar nΓ« librin e botuar nga LEV, nΓ«n kujdesin e gazetarit Alessandro Banfi, i pΓ«rkasin krijimit β€œGo Away You Bomb” (Largohu, o bombΓ«), njΓ« tekst proteste, qΓ« autori e shkroi nΓ« vitin 1963, nΓ« kulmin e tensioneve tΓ« LuftΓ«s sΓ« FtohtΓ«. BΓ«het fjalΓ« pΓ«r njΓ« krijim tΓ« veΓ§antΓ«, pasi kΓ«nga nuk Γ«shtΓ« regjistruar apo botuar kurrΓ« zyrtarisht nΓ« albumet muzikore tΓ« autorit, ndΓ«rsa dorΓ«shkrimi origjinal mbeti i pabotuar deri nΓ« zbulimin e tij nΓ« vitin 2013.

SHFAQJA PARA GJON PALIT II

Nuk Γ«shtΓ« hera e parΓ« qΓ« Β«kΓ«ngΓ«tari shtegtarΒ» i rokut, siΓ§ Γ«shtΓ« mbiquajtur qΓ« nΓ« fillimet e karrierΓ«s sΓ« tij nΓ« vitet ’60, takohet me njΓ« PapΓ«. NΓ« vitin 1997, Dylan u ftua tΓ« jepte shfaqje sΓ« bashku me artistΓ« tΓ« tjerΓ« nΓ« Kongresin e 23-tΓ« Eukaristik KombΓ«tar, nΓ« BolonjΓ«, pΓ«rpara PapΓ«s sΓ« atΓ«hershΓ«m, Gjon Palit II dhe para njΓ« turme me rreth 300 mijΓ« tΓ« rinj. NΓ« kujtesΓ«n kolektive ka mbetur imazhi i kΓ«ngΓ«tarit, i cili, pasi interpretoi tri prej kΓ«ngΓ«ve tΓ« tij mΓ« tΓ« njohura, ndΓ«r tΓ« cilat β€œKnockin’ on Heaven’s Door”, hoqi kapelΓ«n e kaubojit, u ngjit nΓ« shkallΓ«t e podiumit papnor dhe i shtrΓ«ngoi dorΓ«n e shkΓ«mbeu disa fjalΓ« nga afΓ«r me VojtilΓ«n. Ky i fundit, nΓ« fjalimin e tij drejtuar tΓ« rinjve, citoi shprehimisht tekstin e kΓ«ngΓ«s β€œBlowin’ in the Wind”: Β«Ti mΓ« pyet: sa rrugΓ« duhet tΓ« pΓ«rshkojΓ« njeriu pΓ«rpara se tΓ« mund ta quash njeri?Β». Pyetjes, Papa polak iu pΓ«rgjigj: Β«VetΓ«m njΓ«. Ekziston vetΓ«m njΓ« rrugΓ« pΓ«r njeriun dhe ajo Γ«shtΓ« rruga e Jezu KrishtitΒ».

Artikujt mΓ« tΓ« kΓ«rkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x