Zyrtarët e Federatës Iraniane të Futbollit nuk do të marrin pjesë në Kongresin e FIFA-s që po mbahet në Kanada.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve, Tasnim, e cila citon si shkak “sjelljen e papërshtatshme të zyrtarëve të emigracionit” në aeroportin e Torontos. Sipas Tasnim, tre zyrtarë të federatës kishin mbërritur me viza të rregullta për të marrë pjesë në kongresin e së enjtes, por janë detyruar të kthehen me fluturimin e parë të disponueshëm.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm “u kthyen drejt Turqisë me fluturimin e parë, për shkak të sjelljes së pahijshme të zyrtarëve të aeroportit dhe fyerjes ndaj një prej organeve më të nderuara të Forcave të Armatosura të Iranit”, raportuan disa media, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e incidentit.
Kanada është bashkëorganizatore e Botërorit 2026 së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën, ndërsa Kongresi i FIFA-s është planifikuar të mbahet në Vancouver gjatë kësaj jave.