Drejtori i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA sqaroi se nuk kishte qenë i përfshirë në projektin e njohur si FIFA Forward Enterprise (FFE) dhe se kishte mësuar për të vetëm përmes raportimeve në media.
“Nuk kam qenë i përfshirë në këtë plan strategjik dhe për herë të parë mora dijeni për të nga mediat. Vendimi për ta tërhequr projektin ishte absolutisht i domosdoshëm dhe i padiskutueshëm, sepse besoj fort te një FIFA e pavarur që i shërben futbollit me përkushtim, transparencë dhe integritet”, deklaroi Wenger.
Ish-trajneri legjendar i Arsenalit theksoi gjithashtu se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, ndryshe nga këshilltari i lartë Carlos Cordeiro, dhe rikujtoi se detyrat e tij në FIFA lidhen me analizën e të dhënave, zhvillimin e akademive të të rinjve, programet e trajnimit online dhe rolin si këshilltar teknik i IFAB.
Deklarata e Wenger vjen në një moment kur presioni ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, vazhdon të rritet. Plani për krijimin e FIFA Forward Enterprise dhe shitjen e 20% të aksioneve te fondet private të investimeve hasi në kundërshtimin e fortë të tre konfederatave kontinentale, ndërsa UEFA paralajmëroi se mund të bojkotonte Kupën e Botës dhe kompeticionet e tjera të FIFA-s nëse projekti do të vazhdonte.
Edhe Federata Angleze e Futbollit pritet t’i konfirmojë FIFA-s tërheqjen e mbështetjes për Infantinon, ndërsa Federata e Uellsit e ka bërë tashmë publike këtë vendim. Nga ana tjetër, UEFA deklaroi se, megjithëse mirëpriti anulimin e projektit, ka humbur besimin te drejtimi i Infantinos.
Shqetësime kanë shprehur edhe klubet evropiane, të cilat druheshin se projekti do të ndikonte në marrëveshjet ekzistuese për të drejtat tregtare të kompeticioneve, veçanërisht për Kupën e Botës për Klube. Aktualisht, FIFA nuk ka ende një marrëveshje me organizatën e klubeve evropiane për edicionin e vitit 2029.
Kontroversat u thelluan edhe më tej pasi drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, deklaroi javën e kaluar se stafi i qeverisë botërore të futbollit ishte “mashtruar” nga presidenti Gianni Infantino lidhur me këtë projekt.