Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton nga auditi i kryer, se Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka arkëtuar të paktën 1.2 milionë euro gjoba për shkelje të kontratave dhe vonesa në afatet e kryerjes së punimeve nga ana e kompanive të përfshira në procesin e rindërtimit.
Vonesat shtrihen për projekte rindërtimi që nga arsimi me kopshte e shkolla në Krujë, për ndërtesat individuale në të paktën dy raste në Bubq e Rrogozhinë, te projektet për ndërtimin e pallateve dhe deri te infrastruktura ndihmëse e tyre.
Nga auditimi i KLSh-së del se buxhetit të shtetit i janë shkaktuar miliona lek të tjera dëme me moszbatimin e projekteve të rindërtimit sipas përcaktimeve të kontratave, me punime të papërcaktuara në preventivë, apo me çmime më të larta se ato të referencës.
Auditimi u shtri përgjatë periudhës së aktivitetit të FSHZH-së nga viti 2019 deri në vitin 2021.
Fondit i janë akorduar mbi 250 milionë euro vetëm për programet e rindërtimit.