Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur datën 15 prill 2025 për zhvillimin e seancës konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, sipas një njoftimi nga Zyra e Presidentes.
Ky hap është në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe afatet ligjore të Presidentes, e cila është e detyruar të thërrasë mbledhjen brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet përfundimtare më 27 mars, ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para me 48 deputetë, PDK-ja e dyta me 24, LDK-ja ka 20, ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka fituar 8 ulëse.
Çfarë ndodh në seancën konstituive?
Seanca konstituive përgatitet nga kryetari i legjislaturës së mëparshme, i cili pesë ditë para mbajtjes së seancës duhet të thërrasë në mbledhje kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për të përgatitur një rend dite.
Rendi i ditës duhet të përfshijë formimin e një komisioni të përkohshëm që bën verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve të rinj, zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve, votimin e raportit të komisionit të lartpërmendur dhe përcaktimin e vendeve të deputetëve në sallë, sipas fuqisë politike.
Seanca konstituive kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.
Ligjet nuk parashohin që gjatë seancës nuk mund të ketë debat.
Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin – ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese – dhe partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Nënkryetarët, ndërkaq, propozohen nga një nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb.
Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
“Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, thuhet në nenin 12, pika 5 e Rregullores së Kuvendit.
Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate tetë vende.
- Beckham nis festimet e ditëlindjes së tij të 50-të, nga Messi tek Tom Brady, kush ishin të famshmit që morën pjesë - 02/04/2025
- “Adolescence”, Starmer: Seriali të transmetohet në të gjithë shkollat e vendit! - 01/04/2025
- Hakmarrje ndaj marrëveshjes Shqipëri-Kosovë-Kroaci? Serbia firmos me Hungarinë ‘bashkëpunimin strategjik në fushën e mbrojtjes’ - 01/04/2025