21.8 C
Tirana
12 / 11 / 2026

Vendimet/ Qeveria miraton projektligjet për energjinë dhe sigurinë kibernetike, lirohet nga detyra zëvendësministri i Kulturës

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa projektligje dhe vendime në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte. Në fokus të vendimmarrjes kanë qenë eficienca energjetike, siguria kibernetike, ndihma shtetërore, dhuna ndaj grave dhe ndryshimet e mundshme në ndarjen administrativo-territoriale të vendit.

Mes vendimeve të miratuara është edhe lirimi nga detyra i Endrit Hoxhës, i cili mbante postin e zëvendësministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Hoxha ka mbajtur më herët edhe detyrën e zëvendësministrit të Arsimit, përpara se të kalonte në postin e fundit, të cilin e mbajti deri në vendimin e sotëm të qeverisë.

Sa i përket projektligjeve, Këshilli i Ministrave ka miratuar nismën për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për ndihmën shtetërore, si dhe projektligjin për eficiencën energjetike. Ky i fundit synon krijimin e një kuadri të përgjithshëm masash për promovimin dhe përmirësimin e eficiencës së energjisë në Shqipëri.

Një tjetër nismë e miratuar lidhet me ndryshimet dhe shtesat në ligjin për sigurinë kibernetike.

Në mbledhjen e sotme janë miratuar gjithashtu ndryshime në vendimin që përcakton përbërjen, funksionimin dhe trajtimin financiar të grupit negociator për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për përbërjen, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të mekanizmit të koordinuar për referimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Në rendin e vendimmarrjes kanë qenë edhe dy çështje të lidhura me ndarjen administrativo-territoriale dhe zonat e mbrojtura. Për këto, Këshilli i Ministrave ka miratuar dhënien e mendimit Kuvendit për projektligjin joqeveritar mbi ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore, si dhe për nismat që synojnë shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në vitin 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.

Vendimet dhe projektligjet janë bërë publike nga Agjencia për Media dhe Informim pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.

NJOFTIMI – Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije projektligjet dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë datë 12.11.2026.

Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e projektligjeve:

-Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar.

-Për eficiencën energjetike.

Qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë një kuadër të përgjithshëm masash për promovimin dhe përmirësimin e eficiencës energjetike në Republikën e Shqipërisë.

-Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2024, “Për sigurinë kibernetike”.

U miratuan dhe vendimet si më poshtë:

-Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar

-Për përbërjen, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të mekanizmit të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

-Për dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin j(o)qeveritar “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

-Për dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dy projektligjet joqeveritare “Për shfuqizimin e ligjit nr.21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura””.

-U miratua dhe lirimi nga detyra i Z. Endrit Hoxha si zëvendësministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x