7.5 C
Tirana
23 / 01 / 2026

Trump e ka braktisur botën

Nga Gordon Brown, Project Syndicate

Vendimi i Presidentit Donald Trump për t’i tërhequr Shtetet e Bashkuara nga 66 organizata ndërkombëtare synon, në dukje, të shkurtojë shpenzimet e panevojshme, por përfshirja e agjencive që mbështesin vajzat dhe gratë nënvizon arbitraritetin dhe ndjesinë e hakmarrjes pas një hapi të tillë. Pasojat për njerëzit në mbarë botën do të jenë shkatërrimtare.

Më 27 janar, tërheqja e dytë e Presidentit amerikan Donald Trump nga Marrëveshja e Parisit për klimën do të hyjë përfundimisht në fuqi. Kjo vjen pas njoftimit të tij më 7 janar se Shtetet e Bashkuara do të largohen edhe nga 66 organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë 31 entitete të Kombeve të Bashkuara dhe 35 organizma jashtë OKB-së, të cilat administrata Trump i konsideron tashmë të papranueshme.

Asnjëherë më parë një udhëheqës kombëtar nuk i ka prerë në shkallë të tillë lidhjet me komunitetin ndërkombëtar brenda një muaji të vetëm. Po aq e paprecedentë është edhe deklarata e hapur: “Nuk kam nevojë për të drejtën ndërkombëtare”, siç u shpreh Trump gjatë një intervistë për New York Times disa javë më parë. Ai shtoi se vetëm ai do të luante rolin e arbitrit për të vendosur se kur këto kufizime do të zbatoheshin për SHBA-në dhe se pushteti i tij do të kufizohej vetëm nga “moraliteti i tij”.

Groenlanda, me të drejtë, është kthyer në një çështje shqetësuese për shkak të kërcënimeve amerikane për ta marrë atë. Por kjo anashkalon faktin se ndërkaq njerëz po vdesin si pasojë e brutalitetit amerikan. Gjatë vitit të kaluar, administrata Trump shkurtoi ndjeshëm fondet për ndihmën humanitare globale dhe programet shëndetësore, gjë që, sipas Qendrës për Zhvillim Global, ka gjasa të rezultojë në rreth një milion vdekje më shumë çdo vit. Një studim i Institutit të Shëndetit Global të Barcelonës dhe organizatave të tjera zbuloi se shkurtimet e ndihmës nga SHBA-ja dhe Evropa së bashku mund të shkaktojnë deri në 22.6 milionë vdekje shtesë – përfshirë 5.4 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç – në vendet në zhvillim deri në vitin 2030. Duke qenë se zhvillimet e fundit nënkuptojnë shkurtime edhe më të thella të mbështetjes ndërkombëtare, këto shifra me siguri do të duhet të rishikohen në rritje.

Sigurisht, e dinim tashmë se administrata do të vinte në shënjestër institucione globale si UNESCO, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Agjencia e OKB-së për Refugjatët, Agjencia e OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt, si dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA). Por, mbi të gjitha tani e dimë se Amerika do të bëhet vendi i parë që braktis vetë kornizën për arritjen e marrëveshjeve mbi ndryshimet klimatike, Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, nga e cila do të dalë pas një viti.

Ndërkohë, askush nuk duhet të dyshojë se mandati i Bordit të ri të Paqes të Trumpit do të ketë pasoja të mëdha. Kjo përpjekje për të ofruar një alternativë ndaj përpjekjeve të OKB-së për paqebërje dhe paqeruajtje, të cilat vazhdimisht kanë qenë të nënfinancuara, përfaqëson një ndryshim madhor në politikën e kahershme amerikane.

Sulmi ndaj agjencive të përkushtuara ndaj sundimit ndërkombëtar të ligjit, nga i cili Amerika ka përfituar prej kohësh – përfshirë Komisionin e së Drejtës Ndërkombëtare, Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës, Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, si dhe Institutin Ndërkombëtar për Drejtësi dhe Sundimin e Ligjit – ndjell lajme të këqija rreth ligjshmërisë së veprimeve të ardhshme të SHBA-së. Kjo duket gjithashtu shumë larg shpjegimit zyrtar se qëllimi është ulja e shpenzimeve dhe kundërshtimi i agjendës “Woke”.

Dalja nga agjencitë që mbështesin barazinë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të vajzave dhe grave vështirë se mund të justifikohet duke i etiketuar ato si “programe ideologjike” në kundërshtim me sovranitetin amerikan, siç thuhet në deklaratën zyrtare. Duhet pyetur se si një agjenci si UN Women mund të konsiderohet “e panevojshme” dhe “shpërdoruese”, kur ajo ka ndihmuar më shumë se 80 vende të hartojnë buxhete të ndjeshme ndaj gjinisë dhe kur agjencia e saj motër, UNFPA, mbështet shëndetin amësor.

Vendimi për t’u tërhequr nga entitete brenda sistemit të OKB-së që fokusohen te mbështetja e vajzave dhe grave viktima të luftërave civile, ndryshimeve klimatike dhe krizave të tjera shkon drejt hakmarrjes së pastër. Këto përfshijnë Education Cannot Wait (të cilin unë e kam drejtuar më parë), një fond që u siguron arsim miliona fëmijëve refugjatë; Zyrën e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm për Dhunën Seksuale në Konflikt (OSRSG-SVC); dhe Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm për Dhunën ndaj Fëmijëve (SRSG-VAC). Nëse këto organizata nuk financohen mjaftueshëm, disa nga gratë dhe vajzat në gjendje më vulnerabël në botë do të përballen me rrezik më të lartë dhune dhe vdekshmërie amësore.

“Është e papranueshme  ti’u dërgojmë këtyre institucioneve gjakun, djersën dhe pasurinë e popullit amerikan, kur kanë pak ose aspak rezultate,” shpjegoi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Por të pretendosh se qytetarët amerikanë janë ata që vuajnë nga agjencitë e përqendruara në lehtësimin e vuajtjeve të vajzave dhe grave në vendet me të ardhura të ulëta është krejtësisht e pasinqertë. Kjo sugjeron se njohja nga Deklarata e Pavarësisë e “jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë” si të drejta të patjetërsueshme ende vlen vetëm për burrat.

Këto agjenci – OSRSG-SVC dhe UN Women – financojnë strehimore, ofrojnë ndihmë ligjore dhe mbështetje psikosociale për gratë e cenueshme. Ato punojnë për t’i dhënë fund martesave të minorenëve dhe gjymtimit gjenital të detyruar. Në shumë zona konflikti në botë, gratë e zhvendosura do të humbasin tani aksesin në hapësira të sigurta, në një kohë kur raportet tregojnë se dhuna seksuale e lidhur me konfliktin u rrit me 25% nga viti 2023 në 2024.

Duke e parë mbrojtjen e fëmijëve si thelbësore për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së deri në vitin 2030, SRSG-VAC punon krah për krah me OBSH-në për të përmirësuar rezultatet shëndetësore për gratë dhe fëmijët. Në mënyrë të ngjashme, UNFPA dhe OBSH financojnë nisma që synojnë të ulin përhapjen e HIV-it, një nga shkaqet kryesore të vdekjes te gratë dhe vajzat në moshë riprodhuese.

Ky sulm ndaj të drejtave shkon përtej mbrojtjes së sigurisë dhe shëndetit të grave. Arsimi i vajzave do të pësojë një nga goditjet më të mëdha dhe më të rënda. Numri i vajzave jashtë shkollës – tashmë 122 milionë në mbarë botën – do të rritet, duke shkaktuar efekte zinxhir. Për shembull, Education Cannot Ëait bashkëpunon me UNICEF-in për të siguruar shkollimin e vajzave në shtete të brishta, jo vetëm për t’u dhënë atyre më shumë mundësi për të lulëzuar, por edhe për të parandaluar martesat e hershme të detyruara.

Administrata Trump gabimisht supozon se amerikanët dhe shtetasit e huaj mbështesin çmontimin e organizatave ndërkombëtare. Por shumica dërrmuese e njerëzve duan që vendet të punojnë së bashku për të adresuar problemet e përbashkëta. Në një sondazh të fundit të opinionit publik, i zhvilluar në 34 vende që mbulonin çdo rajon, më shumë se 90% e të anketuarve thanë se bashkëpunimi ndërkombëtar ishte thelbësor për shëndetin global, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e konflikteve. Vetëm 5–6% e të anketuarve, dhe jo më shumë se 7% në asnjë rajon, besojnë – siç duket se beson administrata Trump – se një bashkëpunim i tillë është “në përgjithësi humbje kohe dhe burimesh”.

Për më tepër, në kundërshtim me raportet për skepticizëm në rritje ndaj multilateralizmit, të anketuarit shpesh shprehën më shumë besim te organizatat ndërkombëtare sesa te qeveritë e tyre. Besimi te OBSH-ja qëndron në 60% globalisht (duke u rritur në 85% në Afrikën Subsahariane), ndërsa besimi te OKB-ja është 58%.

Gjasat janë që rezultatet do të ishin të ngjashme nëse të anketuarit do të pyeteshin për vlerën e organizatave ndërkombëtare që promovojnë mundësitë për vajzat dhe gratë, të cilat janë themeli i një bote më të mirë. Braktisja e vajzave dhe grave, veçanërisht në kontekste krize, nuk është maturi financiare; kostot ekonomike do të rëndojnë për vite, në mos për dekada dhe breza. Është një dështim moral spektakolar dhe na turpëron të gjithëve.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x