Ato janë të trija në një foto të 10 tetorit 1885, në një imazh që është më shumë se kujtesë. Kjo është një dritare nga e cilat shohim përtej historisë, vështrojmë thellë në shpirtin e guximit njerëzor, lejohemi të bëhemi dëshmitar në zgjimin e gruas për të jetuar realitetin e ëndrrës së saj të vrarë për shekuj, për të zënë vendin e merituar në sfida dhe suksese.
Kjo foto ka udhëtuar në kohë për t’i sjellë këto tri gra, që në fundin e shekullit XIX, si dëshmi e guximit për të marrë në duar të ardhmen, në një kohë kur femra nuk lejohej as të ëndërronte për dije, e aq më pak për shkencë.
Në këtë fotografi të tetorit 1885, shfaqen tre personifikime force dhe shpirti ngulmues që thyen zinxhirët e kohës: Dr. Anandi Gopal Joshi nga Saranysore, Indi; Dr. Kei Okami nga Tokio, Japoni; dhe Dr. Tabat M. Islambooly nga Damasku, Siri.
Ato u takuan në Filadelfia, në udhën që do të shndërrohej në një prelud të emancipimit global të gruas, për të studiuar mjekësi, për të mësuar trupin dhe shpirtin e njeriut në një epokë që ua mohonte atyre të drejtën për të kuptuar vetveten dhe botën.
Rrugët e tyre u hapën falë një gruaje tjetër, Elizabeth Blackwell, e cila në vitin 1847 u bë e para që u pranua në një fakultet mjekësie në Shtetet e Bashkuara. Ironia e historisë ishte se studentët meshkuj e miratuan pranimin e saj duke menduar se kërkesa ishte një shaka, një shaka që do të ndryshonte përgjithmonë fatin e grave në shkencë.
Anandi Joshi u bë gruaja e parë indiane me diplomë mjekësie në SHBA, një triumf për një vend ku martesa e hershme dhe zakonet patriarkale mbizotëronin.
Kei Okami u kthye në Japoni si e para grua mjeke në historinë e vendit të saj, duke luftuar jo vetëm sëmundjet, por edhe përjashtimin social që shoqëronte çdo hap të saj në jetë.
Ndërsa Tabat Islambooly, më enigmatike në dokumente, mbetet simbol i aspiratës së grave arabe për dije në një kohë të mbylljes fetare dhe kulturore.
Fotografia i bashkon ato në një moment solemn dhe historik. Ajo që përfaqësojnë ato ishte gjithçka përveç qetësisë dhe një formaliteti të një pozimi, ishte përpjekja, kundërvënia, rilindja, kurorëzimi i një mbretërimi.
Tri gra nga tri kultura, të bashkuara në një ideal, vinin të shëronin botën me guximin e tyre dhe ta shndërronin atë.
Në një epokë ku gruas i kërkohej të heshtte, ato folën me gjuhën e shkencës. Në një botë që i kërkonte të shërbente, ato zgjodhën të shëronin. Dhe në një kohë ku dija ishte privilegj burrash, ato e bënë mjekësinë akt dashurie, vetëdijeje dhe çlirimi.
Kjo fotografi mbetet si një testament i përjetshëm, kujtesa e momentit kur guximi mori formë femërore, dhe për herë të parë, historia nisi të shkruhej që aty edhe me dorën e gruas.
- “Nuk do e lëmë në baltë”/ Kallas: Presioni ndaj Ukrainës nuk është rruga e duhur - 21/10/2025
- Tri gratë që zgjuan gruan të jetonte realitetin e ëndrrës së mohuar - 21/10/2025
- (VIDEOT)Rrëzohen vinça dhe shkatërrohen ndërtesa, tornado e fuqishme në Paris/ Një i vdekur dhe disa të plagosur - 21/10/2025