Nga Luan Rama
Kurrkush nuk e ka menduar se vjen një ditë e Thethi, fshati i bukur i një krahine me shumë histori shqiptarie si Dukagjini, do të gjendej në rropamë.
Në rropamë e në hall.
Banorët e asaj ane, të njohur për trimëri e bujtësi, prej kohësh ishin mësuar me miq që vinin prej viseve të ndryshme nga vendi dhe Bota.
Në gjuhën e “qytetit” u thonë turistë, ndërsa thethjanët si të gjithë malësorët, i quajnë bujtës.
Në atë vend, të cilin për herë të parë enciklopedisti françeskan Vincenzo Coronelli e përmend në hartën e vitit 1688, prej vitesh nuk degjohet të flitet vetëm shqip, por edhe shumë gjuhë të tjera, pasi të shumtë janë ata që shkojnë në Theth nga e gjithë bota. Thethjanët janë bërë emërmirë prej kohësh. Baroni Franc Nopça, albanolog i njohur pat thënë për banorët e asaj treve se ”po t’u biesh në besë, në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ndihesh më i sigurt”.
***
Iu gëzuan malësorët rrugës së re të Thethit. Dhe jo vetëm ata. Por, edhe të tjerët që shkojnë atje për t’ia shijuar bukuritë Thethit. Nuk e kanë thënë kot të parët se rruga sjell zhvillim.
Edhe pse në fakt ajo rrugë është ndërtuar nëntëdhjetë vjet më parë, banorët pëlqejnë ta quajnë rruga e re. Mbase edhe për ta lidhur rrugën me Kryeministrin Edi Rama, prej faktit se ai u bë nismëtari i rikonstruksionit te saj. Një shenjë mirënjohjeje.
Pra, si nderim.
Kryeministri ka shkuar disa herë në Theth. Po të ishte rruga e vjetër, me siguri nuk do të shkonte asnjëherë.
Ka shkuar dhe thethjanët e kanë pritur sipas kodit të tyre të nderit; me këngë majekrahi dhe me çerepore (bukë e pjekur në çerep). E kanë nderuar, por edhe janë nderuar prej Kryeministrit. Miku të nderon kur të vjen në derë. Andaj, shtëpia është e zotit dhe e mikut ndër ato treva.
Thethjanët ishin të qetë.
I gëzoheshin punës së tyre. Emri i tyre i mirë, kishte grish shumë mysafirë. Ardhja e tyre shtoi edhe punët. Deri atë ditë kur kryeministri vetë dha kumtin: – Një kriminel e ka plagosur Thethin!
Sipas zakonit, kumtari duhej të takonte të parin e fshatit e ky të mblidhte parinë. Paria gjithë burrat e fshatit e të gjithë bashkë t’i bënin ballë të keqes.
Krimineli duhej gjet dhe plaga duhej shëruar. Me kuvend dhe me urti. Bashkërisht.
Mirëpo, duket sikur çdo gjë të bukur e ka marrë dreqi i mallkuem! E po dreqi, ka lëshu ndër ato vise do katallana prej hekuri që bëjnë një zhurmë të çuditshme. Zhurmë katallanash!
Në oborrin e kishës, ndër livadhe dhe lugajave të bukura nuk dëgjohen më këngët e zogjve. As kumona nuk dëgjohet. As zilet e bagëtive, as blegërimat, pëllitjet, as hingëllimat.
Në Theth e përreth tij nuk ka ndodhur më parë të dëgjohen zhurma të tilla, zhurma katallanash.
Sepse edhe ata që kanë ndërtuar pa marrë më parë lejen e ndërtimit, pa zhurmë kanë ndërtuar. Pa zhurmë e pa leje. Tinëzash.
E kanë gjet rrugën; pa leje, por edhe me “leje”!
Se dikush i ka lejuar, edhe pse i ka parë. Kryeplaku, inspektori, polici, administratori. Askush nuk i ndaloi. Edhe pse e kishte detyrë t’i ndalonte. Qytetarët duhen mbrojtur. Jo vetëm nga krimineli, por edhe nga paligjshmëria. Edhe nga mashtruesi i shtetit.
-Një kriminel e ka plagosur Thethin, – tha Kryeministri. Dhe Kryeministri e di. Se Kryeministri ka qeverinë. Dhe qeveria i di të gjitha. Se “qeveria ia ka ba Kajcës tetë me di!”
Qeveria e ka shpallë Thethin zonë të mbrojtur. Por, nuk e mbrojti dot. E la kriminelin që ta plagosë Thethin. E la edhe të ikë! Mbase ka ik në Bogë, mbase në Razëm. Ose në Velipojë. Mundet edhe në Shkodër, në Tiranë, në Vlorë… Apo atje, nuk ka plagosë kush, sepse atje nuk ka kriminelë siç ka në Theth?
.……..
Turravrapi për t’iu sulur Thethit e ka një shkak. Dikush e ka cyt e nuk e ka pengu. Nuk është faji i një prokuroreje për çfarë ka ndodhur në Theth. Të mos krijojmë përrallë kotsëkoti.
Mbrojtja e Thethit, parandalimi i ndërtimeve pa leje, qoftë edhe në tokën e gjyshit apo të katragjyshit, është detyrë dhe përgjegjësi e qeverisë dhe e agjensive apo institucioneve në varësi të saj. Më parë se sa ndërtimet e paligjshme të bëra në Theth e jo vetëm, por edhe në Tiranë, edhe në Vlorë dhe gjithkund tjetër nëpër Shqipëri, fadromat e shkatërrimit duheshin turrur ndaj atyre që e lejuan, e stimuluan dhe u paguan për plagosjen e Thethit.