Në një nga dunat më të mëdha të rërës në Evropë është zbuluar një nekropol dhe një vendbanim i tërë romak. Teksa duna vazhdon të zhvendoset, arkeologët shpresojnë se mund të shfaqen gjetje të reja.
Në provincën Cádiz në Spanjë, aty ku Evropa ndahet përmes ngushticës së Gjibraltarit me Afrikën e Veriut, gjendet Duna de Bolonia, një nga dunat më të mëdha të rërës në kontinent. Më shumë se 30 metra e lartë dhe e shtrirë në 200 metra territor, tuma e bardhë qëndron përbri detit të kaltër.
Si të gjitha dunat e rërës, Bolonia është një ekosistem vazhdimisht në lëvizje që zhvendoset me erërat. Mirëpo, ndryshimet e klimës kanë sjellë erëra më të forta e madje edhe uragane nga lindja, çka ka ndikuar që duna të migrojë gjithnjë e më shumë drejt pyjeve. Kjo ka bërë që të dalin në pah mbetjet e shumë civilizimeve të kaluara.