Ilir Metaj (Meta) rezulton të jetë politikani i lartë që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Disa muaj më parë Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pasi kishte marrë një email, i nisi një shkresë Kuvendit të Shqipërisë për ndryshim të ligjit për dosjet pasi disa politikanë që kanë kaluar verifikimin nga Komisionet ‘Bezhani-Mezini’ nuk mund të verifikohen më.
Autoriteti i Dosjeve tha që ish-presidenti Ilir Meta (Metaj) ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit Shtetëror në kohën e komunizmit.
Ditën e djeshme portali Priza.al që drejtohet nga gazetari Elio Laze publikoi dosjen e plotë që disponon Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Përmes kësaj dosje, faktohet se Metaj ka shërbyer si “bashkëpunëtor” dhe tradhtonte miqtë e tij, duke dekonspiruar planet që kishin këta të fundit.
Në dosje shkruhet se Metaj ka denoncuar shokun e tij Filip Talo, i cili donte të arratisej nga vendi, ku më pas bie në grackë për të përfunduar në fund dhe ai një spiun me pseudonimin ‘Drita’ duke u shantazhuar dhe ndjerë në kurth nga dy shokët e tij Ilir Murati dhe Ilir Metaj.
“Objekti Filip Talo është marrë në përpunim paraprak në 23.01.1989 mbi besën e denoncimeve të studentëve Ilir Murati e Ilir Metaj dhe me vërtetësinë e tyre me teknikë operative, më 23.04.1989 është ngritur në përpunim aktiv, ku rezulton se Filip Talo ka tendencë arratisje jashtë shtetit”, shkruhet në dosje.
Por nga ana tjetër, Metaj për Sigurimin e Shtetit tregonte se si dy shokët e tij bashkëpunonin për arratisje dhe planet për të gjetur florinj, të cilët do t’i duheshin Talos për jashtë shtetit.
Dosja është e shkruar e zeza në të bardhë, por i mbetet institucioneve për të verifikuar origjinalitetin e saj.
Si e mohoi Ilir Metaj dosjen dhe keqpërdorja e një tjetër shoku
Disa javë më parë Ilir Metaj organizoi një konferencë shtypi pompoze për të përgënjeshtruar Autoritetin e Dosjeve.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Metaj (Meta) publikoi një pjesë të dosjes që e kishte tërhequr Filip Talo nga Autoriteti dhe pretendonte se ishte e falsifikuar.
Në konferencën për mediat, ai nxori një deklaratë me shkrim dore të Filip Talos, i cili kishte tentuar të kalonte kufirin, që mbante datën 9 mars 1990 dhe që ishte konfirmuar si autentike nga Autoriteti i Dosjeve.
Ndër të tjera në deklaratën e tij Talo shkruante se “para rreth ndonjë 12-14 muajve edhe në vazhdim unë në biseda të ndryshme që kam zhvilluar me Ilir Muratin i kam thënë atij nëse do të dëshironte të vinte me mua jashtë shtetit…”.
Sipas Ilir Metajt, Talo përmend në letër emrin Ilir Murati si personi që ka folur për kalimin e kufirit.
Ilir Metaj nëpërmjet manovrës së tij dëmtoi dy shokët e tij të ngushtë. Në fillim Filip Talon që e spiunoi te Sigurimi i Shtetit, së dyti Ilir Muratin që po e nxjerr spiun për të mbrojtur emrin e tij.
Ilir Murati sot ka të drejtën që të hedhë në gjyq ish-shokun e tij, jo vetëm që i publikoi emrin pa i marrë miratim, por edhe për faktin që e bëri spiun në një ngjarje që kanë qenë të dy bashkëpunëtorë.(Voxnews.al)

